Lajme

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për anulimin e dasmave shkakton 400 milion euro humbje

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit në Kosovë, Hysen Sogojeva tha se vendimi i Qeverisë për anulimin e dasmave ka lënë pa realizuar rreth 40 përqind të dasmave të planifikuara, teksa shton se dëmi, i cili arrin vlerën prej rreth 400 milionë euro, është jashtëzakonisht i madh.

“Nëse e marrim në tërësi, prej një mesatareje prej afër 400 sallash të dasmave, nëse këto kishin me funksionu, qarkullimi kishte me qenë mbi 1 miliard euro. Dhe, nëse themi se 60-70 përqind është kryer, pjesa tjetër është anuluar. Kështu që, na del një shifër bukur e madhe e mjeteve që kanë me u humbë. Por, tu e pa gjendjen qysh e kemi, në parim e përkrahim, me kusht që ana tjetër e ndihmave me ekzistu”, thotë ai për Kosovapress.

Përkundër humbjeve të mëdha, Sogojeva thotë se kanë pranuar vendimin e qeverisë, ani pse paraprakisht ishin marrë vesh që të mos ketë ndalime të tilla.

“Ne një ditë përpara kemi pasur takim me ministrin dhe u dakorduam që bile së paku 150 veta të jenë prezent, me kusht që me iu kërko testi negativ spe vaksinimi dhe, ashtu mbet. Mirëpo, infektimet e fundit që na dolën mbi 2 mijë, atëherë ndërruan gjërat. Edhe pse ne jemi të dëmtuar, ne në parim pajtohemi sepse mbi të gjitha është shëndeti. Por, dëmet kanë me qenë evidente”, shton ai.

Sa i përket ndihmave që presin të pranojnë nga pako e rimëkëmbjes, Sogojeva thotë se nuk kanë diskutuar ende, por që sipas tij, ky është kushti për respektimin e masave të reja.

“Nuk është diskutuar ende për këtë. Kemi pasur 220 milionë euro, pastaj 200 milionë janë shtuar për rimëkëmbjen. Ne, jo vetëm për këto, por do të kërkojmë strikt që edhe kjo pjesa tjetër, sidomos këto 10 ditë, të paguhen ekstra prej ligjit të rimëkëmbjes”, shton ai.