Lajme

Veliu: Nuk jam i njoftuar për vendimin e Kurtit, koalicioni edhe ashtu në rrezik

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Agim Veliu ka thënë se nuk është i njoftuar rreth vendimit të Albin Kurtit për shkarkimin e tij.

“Paska ardhur komunikata te ju ma përpara. Jo nuk jam njoftuar. Qysh e keni pa ju e kam pa edhe unë. Nuk kam kurrfarë vendimi, kështu që nuk e di si me e komentu”, ka thënë Veliu për Kohën.

Sipas Veliut, kjo formë nuk është e duhura, pasi që “do të duhej të kishte një njoftim paraprak edhe koalicioni, në mënyrë që pastaj të procedohej me vendime të tilla”.

Veliu po ashtu ka thënë se as në LDK nuk ka njoftim për këtë gjë.

Teksa Kurti në njoftim i referohet një deklarate të Veliut lidhur me gjendjen rreth koronavirusit, Veliu thotë të mos ketë marrë vërejtje.

“Asnjë vërejtje për deklaratë dhe unë nuk pranoj vërejtje për deklaratat që i jap, sepse fjala e lirë është e garantuar dhe mendimi im është i garantuar. Unë e kam mendimin tim, pavarësisht se çfarë mendon Kurti. Unë nuk i nënshtrohem vendimit të tij asnjëherë”.

Veliu ka thënë se për këtë gjë do të diskutohet në LDK.

“Sigurisht, unë jam njeri që i zbatoj vendimet nga organet dhe institucionet e vendit dhe kjo është çështje që mbetet të diskutohet në forumet e LDK-së”, ka thënë Veliu.

Ministri Veliu në të njëjtën kohë ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të Kurtit.

“Ai duhet ta dijë që nuk është një sistem totalitar që veç një njeri me folë në vend dhe tjerët më e aplauduar, pasi që nuk jemi në Kore. Jemi duke jetuar në një vend demokratik ku është e drejtë e secilit të japë mendimin e kur merren vendimet, ato zbatohen. Deri të merren vendimet, unë kam të drejtë ta jap një mendim, çfarëdo që dua dhe konsideroj që është i duhuri”.

Veliu ka thënë se koalicioni qeverisës është edhe ashtu i rrezikuar.

“Arsyeja është që Kurti do të duhej të marrë vendime tjera që janë të duhura për vendin, dhe të guximshme, e jo vendime tinzare e të fshehta”.