Lajme

Veliu: Kurti e ka ditur që nuk i nënshtrohem asnjë kërkese të tij

Ish-ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, i cili është edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk ka pranuar kërkesa nga kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Sipas tij, ai nuk do t’i nënshtrohej kërkesave të Kurtit dhe këtë, sipas tij, kryeministri e ka ditur.

“Unë si ministër nuk kam pas pengesa por nuk kam pas as ndihmesa. Kurti e ka ditë që unë nuk i nënshtrohem asnjë presioni dhe as një kërkese të tij, unë punën time kryej në bazë të rregullave ashtu siç kërkohet dhe në bazë të ligjeve, ai e ka ditë që kërkesat e tij janë të kota, unë do ta pranoja detyra sikur ministrat e tij asnjëherë”, ka thënë Veliu në një intervistë për televizionin publik RTK.

Ai ka thënë se ishte kundër një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje që nga fillimi.

“Unë kam qenë njëri prej atyre që e kam kundërshtuar koalicionin parazgjedhor, por kam pasë hezitime edhe për lidhjen e një koalicioni pas zgjedhjeve me Vetëvendosjen duke njohur filozofinë e tyre të veprimit dhe duke i ditur dallimet e mëdha ndërmjet dy partive”, deklaroi ai.

“Parashikimet e mia kanë dalë të vërteta se ka dalë që është e vështirë me qeverisë me një parti e cila nuk ka as kuadro, as përgatitje as nuk ka dije e as koncepte për shtetin e Kosovës”, tha ai.

Dje gjatë ditës, kryeministri i Kosovës shkarkoi nga detyra Agim Veliun. Sipas arsyetimit të shefit të ekzekutivit, Veliu dha qëndrime një natë më parë në kundërshtim me ato të Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas shkarkimit të nënkryetarit të LDK-së, kryesia e kësaj partie paralajmëroi mocion mosbesimi ndaj qeverisë së vendit.