Magazina

“Fol serbisht e turqisht që të dukesh më i qytetëtëruar e ma i kulturum, mos fol shqip selak”, më thonin disa dikur!

Gëzim Mekuli

“Kosovarizmi” është prodhim i sistemeve të dhunshme politike. Kombi shqiptar duke jetuar i ndarë (me dhunë) në disa sisteme te ndryshme politike, arsimore e ekonomike, pësoi edhe ndikime të ndryshme socio-kulturore. Propaganda, librat, media, gjuha, shkollimi, fotografia, kënga e përrallat që vinin të dirigjuara nga elita dominuese e kohës, (otomane e sllave), ndikuan tek disa shqiptarë (çka është normale kjo). Paçka, tek shumica e kombit, mendimi kolektiv (identiteti) mbeti “i prekur pak”.

Po të bëjmë një analizë shkencore (jo te porositur nga qeveria e nga OJQ-të), del se mbështetësit e kombit ideologjik “kosovar” janë kryesisht individët dhe grupet që besonin në Perandori (otomane, jugosllave, titiste e çfarëdo qofshin ato).

Këta, si të ndikuar që ishin, nuk identifikoheshin me kombin shqiptar dhe me Shqipërinë (p.sh. gjatë regjistrimit të popullsisë në vitet 1970-1982 shumë shqiptarë u deklaruan si turq, serbë e malazezë. Dhe, shumë romë e ashkalinj u deklaruan edhe si shqiptarë, se edhe këta kishin komplekset e tyre meqë ky grup ishte i nëpërkëmbur si nga “ata” e po ashtu edhe nga shqiptarët. I shtypuri të shtyp, i robëruari të robëron, thonë).

Kush ishin këta? Përse kjo ikje nga vetvetja?

Sipas tyre, e jotja ishte e keqe dhe nuk kishte vlera. Ishin perandoritë që “ishin me vlera”, sepse këto ishin të fuqishme dhe rrezatonin fuqi (në aspektin sociologjik ky veprim i të robëruarve është i njohur). Edhe për “jugosllavët dhe otomanët”, kombi i tyre shqiptar nuk kishte vlera, ishte i prapambetur (as këngë, as muzikë, as edukatë e as kulturë, gjuha shqipe ishte e varfër, nuk mund të shprehesh me të si me serbishten dhe me turqishten, biles as film nuk kanë shqiptarët)! Këta filluan edhe të krijojnë vetë një shije të re kulturore, sociale, të të menduarit, të të folurit dhe të të jetuarit. E, si model përparimi ishin gjuhët e perandorive…. (p.sh. nëse në shoqëri ishte një serb e 10 shqiptarë, të gjithë flisnin serbisht)! Më kujtohet shumë qartë një rast nga fëmijëria ime: ishim duke luajtur futboll; të gjithë flisnin serbisht, sepse kishim nja dy apo tre serb në ekip. Unë, 12-vjecar, flisja vetëm shqip edhe pse e dija serbishten. Më vonë ca shokë shqiptarë filluan të më kritikonin dhe më thoin se “dukesha” i prapambetur, jo qytetar dhe “selak” – katundar. Sipas tyre, unë duhej të flisja serbisht që të “dukesha” i kulturuar dhe më “qytetar…!” Edhe sot janë mu këta njerëz, apo të them më mirë, janë këto mbeturina të pushtuesve perandorakë që po e urrejnë nocionin, ikonën e fjalën historike “Shqipëri”. Këta edhe “nuk kanë faj”. Janë prodhim i rrethanave të dhunshme… Soji i tyre është frikacak, të kompleksuar, me vetëdije të ulët, me pak vetëbesim dhe janë lakmitarë. Duan vëmendje dhe status të garantuar nga “dikushi” që është i “fortë” në shoqëri. (mentaliteti i të fortit)

Këta janë zëdhënës të perandorive, historikisht. Edhe sot këta e përkrahin “kosovarizimin”, sepse kështu e thotë Amerika. Më parë këtë e thoshte Amerika e vogël, “otomanizmi” e “Jugosllavia”, e sot e thotë ajo e madhja, SHBA. Pra, mbështetësit e eksperimentit “kosovar” çdo herë bëjnë një “skenim” të opinionit publik dhe nuhasin shpejtë se kush është perandori. Këta kapen pas të fortit, pas fuqisë, pas parasë e pas padronit. Po kur SHBA dhe BE, nesër, ose sigurisht psnesër, do të deklarohen se eksperimenti “kosovar” dështoi dhe se mbështesim bashkimin demokratik të Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet, si do të reagonin këta njerëz e këto grupe të shkreta e të vogla shqiptarësh?