Vdes ligjvënësja iraniane nga koronavirusi
Një ligjvënëse iraniane ka vdekur si pasojë e koronavirusit, raportojnë mediat iraniane.
Irani është nja nga vendet më të prekura jashtë Kinës nga ky virus. Deri më 6 mars, autoritetet iraniane kanë raportuar 4,747 të prekur me këtë virus.
Ligjvënësja Fatemeh Rahbar, kishte fituar mandatin në zgjedhjet e fundit në Teheran.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpur, tha më 6 mars se 17 persona kanë humbur jetën brenda 24 orëve, dhe 1,000 të tjerë janë diagnostikuar, transmeton rel.
Koronavirusi ka marrë jetët e disa zyrtarëve në Iran, përfshirë këshilltarin e liderit suprem dhe të dërguarit të posaçëm në Vatikan. Më shumë se 20 ligjvënës si dhe zëvendëspresidenti e zëvendësministri në Iran kanë rezultuar me rezultat pozitiv të koronavirusit.
Irani ka mbyllur shkollat dhe universitetet, si dhe ka anuluar organizimet kulturore dhe sportive si pasojë e përhapjes së madhe të virusit në vend.