Vdekja në karantinë: Babai i Agon Musliut fajëson kryeministrin Kurti dhe dy ministrat e tij
Të tronditur kanë mbetur familjarët dhe të afërmit e Agon Musliut nga vdekja e tij, të dielën.
26-vjeçari nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit, i cili ishte kthyer nga Gjermania një ditë më herët, vdiq në rrethana ende të pasqaruara në Qendrën e Studentëve.
Babai i tij, Naim Musliu, ka treguar se djali Agoni kishte probleme shëndetësore dhe këtë kishte tentuar disa herë t’ua bënte me dije institucioneve që u kishte kërkuar të mos karantinohet në Qendrën e Studentëve, raporton koha.
Musliu është i zhgënjyer me institucionet e Kosovës, derisa fajtorë për humbjen e fëmijës së vetëm të tij i ka bërë kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe atë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Musliu thotë se stresi të birit iu shtua nga situata me koronavirus, pasi ai kishte mbetur i vetëm në Gjermani, vend ku kishte shkuar para dy muajsh.
Edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kishte kërkuar nga Qendra Operative në Prishtinë që Musliu të mos dërgohet në karantinë.
Haziri ka kërkuar zbardhjen e këtij rasti dhe që i njëjti të mos politizohet.