Vala e dytë e Covid-19 prek disa vende në Evropë
Më shumë se gjysma e rajoneve franceze janë shpallur ”zonë e kuqe”, Madridi bllokon pothuajse një milion banorë në lagjet e tyre, Britania e Madhe jep alarmin dhe evokon kufizime të reja të mundshme për qytetarët, edhe pse përjashton një bllokim të dytë, ndërkohë që Mynihu po forcon sërish rregullat kundër koronavirusit të ri, raporton ATSH.
Vala e dytë e koronavirusit po shtrin hijen e saj mbi Kontinentin e Vjetër ditë pas dite, i cili po lufton mes dëshirës për të mbajtur shkollat dhe aktiviteteve prodhuese të hapura, nga njëra anë dhe nevojës për të gjurmuar dhe izoluar me shpejtësi rritjen e numrit të infeksioneve nga ana tjetër.
Në Francë janë regjistruar mbi 10 000 raste të reja çdo ditë dhe për shkak të alarmit shëndetësor, më shumë se 50 rajone janë shpallur “zona të qarkullimit aktiv të virusit”.
Një klasifikim që lejon prefektët të marrin masa shtesë për të bllokuar përparimin e armikut të padukshëm, por që nuk përkthehet të paktën për momentin në një bllokim për popullsinë si ai i përjetuar disa muaj më parë.
Shqetësimi, edhe nëse numrat janë shumë më të ulët, po rritet në Britaninë e Madhe. Sipas këshilltarëve shëndetësorë të qeverisë së Boris Johnson, nëse kthimi i rasteve nuk ndalet menjëherë, vendi mund ta gjejë veten në tetor me një nivel prej 50 000 infeksionesh dhe 200 vdekjesh çdo ditë, më shumë se 10 herë më shumë krahasuar me rreth 4 000 raste të reja të këtyre ditëve.
Ajo që është alarmante është tendenca në vende të tjera si Franca dhe Spanja, ku infeksioni nga të rinjtë ka kaluar gradualisht te brezat e vjetër dhe tani jemi duke parë një rritje të re të vdekjeve.
Profesorët Patrick Vallance dhe Chris Whitty kanë paralajmëruar masa të reja kufizuese në kontaktet sociale në pjesën më të madhe të territorit të Mbretërisë dhe Johnson ka thirrur një takim ad hoc të komitetit të urgjencës qeveritare, Cobra.
Ndërkohë, kufizimet e reja të njoftuara ditët e fundit kanë hyrë në fuqi në disa zona të Madridit. Masat prekin 850 000 njerëz: ata do të jenë në gjendje të lënë zonën e tyre vetëm për të shkuar në punë, shkollë ose për të kërkuar ndihmë mjekësore.
Edhe këtu nuk përmendet një bllokim në kuptimin e ngushtë: qytetarët do të jenë akoma në gjendje të lëvizin lirshëm në lagjet e tyre, edhe nëse parqet publike do të qëndrojnë të mbyllura dhe kafenetë dhe restorantet do të duhet të mbyllen nga ora 22:00.
Mynihu, po forcon gjithashtu kontrollin e rregullave anti-Covid. Nga e enjtja e ardhshme do të jetë e detyrueshme të përdorni maskën edhe jashtë, në disa vende në qendrën historike dhe do të ketë kufizime të ashpra në kontaktet: do të lejohen takime me jo më shumë se pesë persona.
Administrata lokale mori vendimin në dritën e rritjes së infeksioneve në kryeqytetin e landit të Gjermanisë Jugore: gjatë fundjavës u tejkalua pragu i 55,6 rasteve të reja për 100 000 banorë në 7 ditë.