Magazina

Urtësia e një diplomati

Përfaqësuesi i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Faris Huri, njihej për mençurinë, dijet dhe përgjigjet e shpejta dhe të goditura që jepte në raste emergjente.
Gjatë seancës së debatit për pavarësinë e Sirisë nga Franca në Këshillin e Sigurimit të OKB, anglezët e kundërshtuan idenë me pretekstin se nëse francezët largohen nga Siria, vendi do të përfshihej nga lufta civile dhe kaosi. Nga ana tjetër, francezët e kundërshtonin me forcë largimin e tyre nga Siria dhe thoshin se ditën që do të largohen ata, vendin do e pushtonte Anglia.
Kryetari i delegacionit sirian, Faris Huri, një i krishter protestant i rafinuar dhe shumë i mençur, u ngrit dhe tha:”Qëndrimi juaj më kujton një ngjarje të çuditshme, ku një burri i zunë sytë një pirg të madh me gurë, tek i cili ishte fokusuar drita e një feneri të madh. I çuditur, ai i pyeti njerëzit aty pranë:”Më falni more zotërinj, por përse janë këta gurë këtu në rrugë?”
Ata u përgjigjën:”Na duhen për të fokusuar mbi ta dritën e fenerit! Nuk e sheh?!”
Akoma dhe më i çuditur, ai i pyeti:”Mirë, po feneri përse shërben?”
Ata i thanë:”Që këmbësorët të shohin gurët dhe të mos përplasen me to pra!”
Të gjithë përfaqësuesit e vendeve të ndryshme shpërthyen në të qeshura dhe atë ditë u vendos që francezët do të fillonin largimin nga Siria pas dy muajsh.
Menjëherë Faris Huri i shkroi një telegram qeverisë së tij dhe i përgëzoi me lajmin e vendimit të largimit të francezëve pas dy muajsh.
Qeveria siriane jo që nuk e falënderoi, por e kritikoi për faktin se u dashka pritur dy muaj, ndërkohë që francezët duheshin shporrur një orë e më parë.
Faris Huri u shkroi një telegram tjetër, në të cilin u rrëfente një proverb, sipas të cilit:”Tregohet se një burrë me mjekër të gjatë vajti tek berberi dhe i kërkoi t’ia rregullojë mjekrën. Por, ajo që ndodhi është se berberi i hyri mbarë e prapë mjekrës duke e shkurtuar maksimalisht. Burri u xhindos nga kjo dhe menjëherë vajti tek një avokat, të ciliti kërkoi të ngrejë padi kundër berberit.
Avokati i tha:”Të këshilloj që të mos i hysh këtij telashi!”
Burri e pyeti i habitur:”E përse?!”
Avokati iu përgjigj:”Sepse gjykata nuk do e marrë në shqyrtim veçse pasi të kenë kaluar dy tre javë. Ndërkohë, për dy javë mjekra jote do të jetë rritur dhe do ketë arritur gjatësinë që kishe më parë.”
Ministrat qeshën me të madhe nga kjo përgjigje e thellë dhe thanë:”Për Zotin ka të drejtë, sepse nëse ngremë padi, do kërkojë kushedi sa muaj derisa të merret vendimi përfundimtar. Ndërkohë që vendimi për largimin e francezëve do të zbatohet pas dy muajve!”
Pas dy muajsh, Këshilli i Sigurimit mbajti takimin e radhës për të vendosur për largimin përfundimtar të francezëve nga Siria. Faris Huri hyri në sallën e mbledhjeve gjysmë ore para se të fillojë takimi, i veshur me qeleshen e kuqe dhe kostumin e bardhë.
Me të hyrë brenda, ai u drejtua tek vendi ku duhej të ulej përfaqësuesi francez dhe u ul krejt i qetë.
Pas pak, filluan ambasadorët dhe përfaqësuesit e shteteve të ndryshme të hyjnë në sallë. Pothuaj të gjithë ata që e shihnin përfaqësuesin sirian të ulur në ndenjësen e Francës, para të cilës gjendej dhe flamuri francez, shtrembëronin buzët dhe nuk e fshihnin dot habinë e tyre, që Faris Huri, një nga themeluesit e OKB-së dhe ekspert i përpilimit të statusit të saj, njohës i mirë i protokollit të uljes në sallë, ishte ulur në vendin e gabuar, duke e lënë ndenjësen e Sirisë krej bosh.
Nuk vonoi dhe përfaqësuesi i Francës ia behu në sallë duke u drejtuar tek ndenjësa e tij, por u step pak kur pa përfaqësuesin sirian që ishte ulur në vendin e tij. Ai iu afrua dhe i tregoi se ishte ulur gabimisht në ndenjësen e përfqësuesit të Francës. I tregoi dhe flamurin francez që ishte instaluar mbi tavolinë, i tregoi edhe ndenjësen përkatëse të përfaqësuesit të Sirisë, por Faris Huri as që donte t’ia dijë duke mos lëvizur vendit. Ai e kishte fiksuar shikimin e tij tek ora e xhepit që mbante në dorë, duke numëruar minutat; një … dy … tre … katër …
Përfaqësuesi francez përpiqej ti bëjë me dije se ishte ulur në vendin e gabuar dhe se duhej të ngrihej menjëherë për t’i liruar vendin, por Faris Hurij as që e bënte qejfin qeder, duke mos e hequr vështrimin nga ora dhe duke numëruar minutat .. dhjetë minuta … pesëmbëdhjetë … njëzet … njëzet e një …
Përfaqësuesi francez e humbu durimin, turfulloi dhe u bë gati ti hidhej në fyt homologut sirian, por diplomatët e vendeve të tjera ndërhynë dhe e ndaluan.
Ndërkohë, kur Faris Huri numëroi minutën e “njëzet e pesë” brofi në këmbë pa e humbur qetësinë karakteristike, futi orën në xhepin e xhaketës dhe duke buzëqeshur iu drejtua përfaqësuesit francez me fjalët:
“Zoti ambasador i Francës! Njëzet e pesë minuta të zura vendin dhe gati sa nuk më vrave nga inati, sakaq Siria ime ka njëzet e pesë vite që duron mbi supe ushtarët tuaj. Tashmë ka ardhur koha që Siria të jetë vend i pavarur…”
Po atë sesion, Siria fitoi pavarësinë e saj nga Franca.