Uliks Gjonaj përfaqëson Zvicrën, por shpalos flamurin e Dardanisë në Izrael
Uliks Gjonaj, instruktor i Swatit /Policisë dhe Ushtrisë dhe njëkohësisht instruktor në nivelin më të lartë ndërkombëtar dhe atë botëror, ka shpalosur flamurin dardan në prezencën e instruktorëve dhe ekspertëve nga mbarë bota.
Instruktori Uliks Gjonaj, i cili përfaqëson shtetin zviceran, kësaj radhe bëri të mundur që amanetin e lënë nga ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ta prezantojë në mesin e instruktorëve më të fuqishëm në botë.
Instruktori Gjonaj ka thënë se është shumë krenar që realizoi fjalën e dhënë ish-presidentit Rugova.
“U ndjeva shumë krenar dhe i emocionuar, pasi që fjalën e dhënë presidentit historik, Ibrahim Rugova, sot e realizova në mesin e instruktorëve nga shtetet më të fuqishme botërore në këtë event”, ka thënë Gjonaj, përcjell albinfo.ch.
Gjonaj gjithashtu ka bërë të ditur se ka pasur shumë pyetje për domethënien e flamurit dhe se të gjithë kanë mbetur të habitur nga historiku që kanë dëgjuar.
“Kudo që shkoj, përfaqësoj flamurin e Zvicrës, disa herë edhe atë amerikan, këtu në një farë mënyre e theva akullin dhe e shpalosa edhe një flamur tjetër, që është flamuri i Dardanisë. Flamuri i tanishëm i Kosovës nuk vjen në konsideratë dhe asnjëherë nuk do të përfaqësohet nga unë, kurse flamuri i Dardanisë po, ka shtuar Gjonaj.