Bota

Udhëtarët që shkojnë në Zvicër të pavaksinuar, duhet të testohen dy herë, testi i dytë me pagesë

Qeveria e vendit e ka justifikuar vendimin e saj të ri për prezantimin e testeve të dyfishta me faktin se udhëtarët e kthyer kanë kontribuar në situatën shqetësuese të pandemisë që vazhdon të mbretërojë në Zvicër.

Rregullat që hyjnë në fuqi nga e hëna:

Të gjithë personat që nuk janë vaksinuar as shëruar duhet të tregojnë një test negativ (antigjen ose PCR) gjatë hyrjes, pavarësisht se nga cili vend vijnë dhe me çfarë mjeti transporti udhëtojnë transmeton albinfo.ch

Testi i dytë

Pas katër deri në shtatë ditësh të kaluara në Zvicër, kërkohet një test tjetër, i kryer në Zvicër. Ky test paguhet. Rezultati i testit të dytë duhet t’i dërgohet zyrës kantonale përgjegjëse. Ndërkaq nuk ka asnjë detyrim testimi për njerëzit e vaksinuar dhe të shëruar me një certifikatë Covid ose dëshmi tjetër të vlefshme të vaksinimit ose shërimit.

Formulari i detyrueshëm për udhëtarët

Të gjithë udhëtarët që vijnë nga jashtë – të vaksinuar, të shëruar dhe njerëzit që kanë dalë negativë – gjithashtu duhet të plotësojnë formularin e hyrjes (Formulari i gjetjes së udhëtarëve, SwissPLF). Kjo u mundëson kantoneve të kryejnë kontrolle në vend për të përcaktuar nëse njerëzit që nuk janë vaksinuar ose shëruar dhe që kanë ardhur me një test kanë kryer një test të dytë pas katër deri në shtatë ditë.