Turqia i bën thirrje Kosovës të tërhiqet nga Ambasada në Jerusalem
Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka reaguar ndaj hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Përmes një deklarate në faqen zyrtare të Ministrisë, MPJ-ja turke ka thënë se ky vendim është për të ardhur keq duke shtuar se një veprim të tillë e dënojnë fuqishëm.
Tutje u është bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që të heqin dorë nga ky hap, siç e kanë quajtur ata, i papërgjegjshëm dhe i paligjshëm
Sipas tyre, duke vepruar kështu, udhëheqësit kosovarë kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon”.
“Vendimi i marrë nga udhëheqësit e një populli që u ballafaqua me vuajtje të mëdha për hir të fitimit të pavarësisë së saj, duke injoruar gjendjen e vështirë të palestinezëve, të cilët kanë jetuar nën okupim për dekada dhe kanë vuajtur shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, është jashtëzakonisht për të ardhur keq”, thuhet tutje në njoftim.
Kosova ka hapur sot ambasadën e saj në Jerusalem si fryt i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës e Serbisë të bërë në shtatorin e vitit të kaluar.