Bota

Turqi, shkon në 25 numri i viktimave të termetit

Njëzet e pesë persona humbën jetën dhe të paktën 831 të tjerë u lënduan pas goditjes së tërmetit me magnitudë 6,6 ballë, i cili tronditi Izmirin në Egjeun turk të premten, njoftoi Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Të paktën 743 persona janë lënduar në Izmir dhe në provincat fqinje, pesë në Manisa, dy në Balıkesir dhe 54 në Aydın.

Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha se 435 njerëz janë duke marrë trajtim, ndërsa 25 gjenden në kujdes intensiv dhe nëntë janë duke iu nënshtruar operacioneve.

Ai gjithashtu tha që 364 u lëshuan nga spitalet, pasi kishin përfunduar trajtimin dhe se ekipet mjekësore dhe të shpëtimit vazhdojnë të punojnë në Izmir për të “lehtësuar dhimbjen”.

Sipas AFAD, pas tërmetit janë regjistruar të paktën 389 tronditje, prej të cilave 33 ishin me magnitudë mbi 4 ballë.

Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit kanë përfunduar në tetë ndërtesa në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë për nga popullsia, ndërsa puna vazhdon në nëntë të tjera, sipas ministrit të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, i cili tha se puna e vlerësimit të dëmeve ka filluar në ndërtesat publike.

AFAD tha se tërmeti ndodhi në ora 14:51 sipas kohës lokale (11:51 sipas kohët e Evropës Qendrore) në një thellësi prej 16,54 kilometrash.

Cunami i pjesshëm

Guvernatori i Izmirit, Yavuz Selim Köşger, tha se tërmeti shkaktoi një mini-cunami në rrethin bregdetar Seferihisar, ku mbeti i lënduar të paktën një person.

Më shumë se 475 automjete dhe gati 4.000 punëtorë shpëtimi, së bashku me 20 qenë nuhatës, u dërguan në vendin e ngjarjes.

Komanda e Rojes Bregdetare po merr pjesë me 116 persona, 11 anije, tre helikopterë dhe një ekip zhytjeje.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke dërgoi 112 punonjës, 137 vullnetarë, 27 automjete dhe pesë kuzhina lëvizëse në terren me një kapacitet për t’u shërbyer më shumë se 25.000 njerëzve.

Kerem Kınık, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, tha se është siguruar një kapacitet për të ushqyer 56.300 njerëz në Izmir.