Lajme

Tronditet Mali i Zi, zbulohet një tunel 30 metra i gjatë në depon e gjykatës

Kur punonjësit e Gjykatës së Lartë malazeze shkuan në punë të hënën, kanë vërejtur çarje të murit të depos ku mbahen provat materiale. Ata njoftuan menjëherë policinë, që zbuloi se çarja ishte në fakt fillimi i një tuneli që të çonte në një apartament aty pranë, raporton Vijesti.

Sipas raportimeve të mediave malazeze, tuneli është rreth 30 metra i gjatë dhe supozohet të jetë gërmuar për më shumë se një muaj. Ajo lidh ndërtesën e gjykatës me një apartament të një ndërtese tjetër në rrugën “Njegosheva” në kryeqytetin e Malit të Zi.

Pronarët deklaruan se apartamenti ishte marrë me qira në fund të korrikut dhe supozohet se gërmimi i tunelit është kryer gjatë muajit gusht, kur shumica e nëpunësve civilë, përfshirë edhe stafin e Gjykatës së Lartë, ishin me pushime.