Shqipëri

Transformohet qendra historike e Gjirokastrës

Rilindja Urbane në qendrën historike të Gjirokastrës vazhdon, ndërkohë që çdo javë ka një zhvillim të ri në rrugën tanimë të hapur të transformimit të mjediseve tregtare apo të shtëpive tradicionale në bujtina mikpritëse për turistët.

Qendra Historike e Gjirokastrës, shpallur në vitin 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s, është kthyer në një kantier punimesh restauruese, duke nisur me rikualifikimin e kalldrëmeve karakteristike të Qafës së Pazarit, rehabilitimin e 6 shesheve që lidhen në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit, ndriçimin publik, përmirësimin e hapësirave të gjelbra deri te rrapi 100 vjeçar, simboli që ka shërbyer si pikë takimi për banorët që në vitet ’30.

Projekti ka për qëllim realizimin e një rrjeti të ri të infrastrukturës nëntokësore, restaurimin e kalldrëmeve ekzistuese, integrimin e hapësirave publike përreth zonës së projektit me qëllim kthimin në një zonë pedonale, duke menaxhuar lëvizjen e kontrolluar të automjeteve të shërbimit publik dhe rezidencial, si dhe përmirësimin e hapësirave të gjelbëruara e shesh pushimeve, duke theksuar tipare me vlerë të qendrës historike.

Kryeministri Edi Rama inspektoi nga afër punimet restauruese të kalldrëmeve, ku do ruhet tipologjia midis gurëve të bardhë dhe gurëve gri, ndërsa në të njëjtën valë transformimi janë përfshirë edhe shtëpitë e vjetra karakteristike, si dhe bizneset buzë rrugicave ku po ndërhyhet.

“Janë 10 blloqe ku tashmë ka filluar komplet aktiviteti turistik dhe artizanal. Të gjitha këto që ishin dikur dyqane të vjetra dhe të papërdorura janë kthyer në dyqane artizanale. Shtëpitë e vjetra ka individë të interesuar për t’i blerë dhe për t’i kthyer në guesthouse. Të 5 rrugicat kanë njohur ndërhyrjet restauruese me blloqet përkatëse të dyqaneve, fasadave, çative komplet. Para sezonit do të mbarojë pjesa e kalldrëmit, me qëllim që të mos pengojmë sezonin turistik,” shprehet deputetja e qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro.