Shqipëri

Grabitësit hodhën në lum trupin e shokut të vrarë, 40 të shoqëruar nga policia

40 është numri i personave të shoqëruar në lidhje me grabitjen spektakolare që ndodhi pak pas mesditës së sotme në pistën e aeroportit të Rinasit.

Grabitësit morën nën kërcënimin e armëve thasë me para nga bordi i avionit të linjës Tiranë-Vjenë duke shënuar kështu një precedent të frikshëm të thyerjes së sigurisë në aeroport, shkruan Albeu.com.

Ndërkohë, pasi kanë marrë paratë, në dalje të pistës së aeroportit ata janë përballur me policinë, ndaj të cilës kanë qëlluar me armë. Kundërpërgjigja e forcave të rendit ka lënë të vrarë njërin prej tyre.

Në këtë moment, grabitësit e kanë hedhur në lum trupin e shokut të tyre me qëllim humbjen e gjurmëve. Mësohet se i viktima është qëlluar me plumb në kokë, por nuk ka ende të dhëna mbi identitetin e tij.

Ndersa mesohet se ne morgun e spitalit te Tiranes shume familjare kane shkuar per te verifikuar trupin e viktime.

Njëri prej 160 pasagjerëve të avionit që pa të gjithë skenën tregon se ishin tre persona që iu afruan avionit duke marrë thasët me para në brendësi të tij, pikërisht aty ku mbahen bagazhet.

“Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me kallashnikov punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen”, tregon njëri prej pasagjerëve.

Shqetësues është fakti se autorët kanë mundur të arrijnë avionin duke patur në duar kallashnikovë dhe granata, por për fat të mirë nuk kanë patur qëllime të tjera përveç marrjes së parave.