Lajme

Tomë Gashi: Kryeinspektori Topalli ka ndryshuar faktet në rastin Dehari e Makolli

Avokati Tomë Gashi, përmes një postimi në Facebook ka thënë se kryeinspektori Ylber Topalli ka ndryshuar qëllimshëm faktet në rastet: Astrit Dehari dhe Naser Makolli.

Ai ka ironizuar duke thënë se Topalli ka “merituar” shumë më shumë se 500 euro, pasi ka pasur punë të “rrezikshme” të “ndryshimit të qëllimshëm të fakteve”, transmeton KOHA.

“Ky kryeinspektori Ylber Topalli ka ‘merituar’ shumë më shumë se 500 euro, përveç rrogës që paguhet nga shefiza e tij e atëhershme ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha. Nime e ka pas punën e ‘rrezikshme’ të ‘ndryshimit të qëllimshëm të fakteve’”, ka shkruar Gashi, i cili ka publikuar edhe disa dokumente.

Ai shton se, “ndër të tjera në konstatimet e tij si kryeinspektor në letër distribuimin e datës 21.11.2016 për inspektim të jashtëzakonshëm në rastin e vrasjes së Astrit Deharit më 05.11.2016 në burgun e Prizrenit për sheficën e vet, rrejshëm dhe pas asnjë fakt e konsideron Astrit Deharin si të burgosur të vetëlënduar”.

E të njëjtën sipas Gashit e ka bërë edhe në rastin e Naser Makollit.

“Poashtu ky në cilësi të njëjtë ka kryer punë të ‘rrezikshme’ edhe në rastin e vdekjes së dyshimtë në burg në Lipjan te Naser Makolli, më 03.04.2017, i cili ishte në dhumë me Astritin kur ai u vra në burg. Ka me pas shumë, ama bash shumë punë kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi”, ka shkruar Gashi.

Ditë më parë ministrja e Drejtësisë në detyrë, Albulena Haxhiu, ka shfuqizuar vendimin për shtesën mujore prej 500 euro për kryeinspektorin e Kosovës.