Shqipëri

Tirana uron festat, ndizet pema e Krishtlindjeve, Veliaj shpall operacionin “Kutia”

Reshjet e shiut nuk penguan që Tirana të ndezë dritat e festave të fundvitit.

Në sheshin “Skënderbej”, ashtu si çdo vit, pema gjigante mori dritë dhe ngjyra e rrethuar nga qindra fëmijë.

I pranishëm në ceremoni veç kreut të Bashkisë ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili përcolli mesazhin se Shqipëria dhe shqiptarët bashkë janë më të fortë dhe do ta kalojnë edhe këtë situatë të vështirë post tërmet.

Edi Rama: “Mbyllini çadrat mos kini frikë nga shiu. Nuk jeni sheqer të shkriheni. Ja gratë mbyllin çadrat dhe burrat qëndrojnë në çadra. Dua vetëm t’ju uroj të gjithëve një vit të ri të gëzuar si këto drita që do ndizen dhe dua po ashtu ti siguroj të gjithëve për një gjë “çfarë të vret të bën më të fortë”. Sot jemi të gjithë së bashku më të fortë, Shqipëria është më e fortë, shqiptarët kudo që janë tani janë më të fortë.”

Ndërkohë për të qenë krah fëmijëve të prekur nga tërmeti, Veliaj shpalli operacionin “Kutia”.

Erion Veliaj: “Edhe fëmijët e Tiranës do ndihmojnë. Secili do marrë një kuti me këpucë dhe do e mbushë me lodra, libra, stilolapsa për fëmijët në Thumanë, Durrës, Laç e Lezhë. Nëse do na ndihmoni të bëjmë dhuratat për fëmijët e prekur nga tërmeti do jetë Viti i Ri më i bukur.”