Lajme

Thellohet partneriteti ushtarak SHBA-Kosovë

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës gjenerallejtënant Rrahman Rama, janë takuar dje në Prishtinë me sekretarin e Ushtrisë Amerikane, Dr. Mark T. Esper.

Zëvendësministri Ramadani dhe gjenerali Rama e falënderuan sekretarin Esper për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për sigurinë në Kosovë dhe rajon, duke vlerësuar lart kontributin e trupave ushtarake amerikane në shtetin tonë.

Një komunikate të Ministrisë së Mbrojtjes, Ramadani dhe gjenerali Rama u shprehën se ndjeheshin të nderuar të diskutonin me sekretarin Esper mbi thellimin e partneritetit Kosovë-SHBA dhe formësimin e së ardhmes sonë të sigurt e të mbrojtur, për arritjen e objektivit tonë shtetëror e shoqëror drejt NATO-s si dhe për gatishmërinë e Kosovës për të kontribuuar krah për krah me trupat amerikane dhe të NATO-s kudo nëpër botë.

Takimi u mbajt të dielën në rezidencën e Ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Ramadani tha se ky takim ishte një mundësi e mirë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në që të shkëmbejmë pikëpamjet dhe planet për të ardhmen për sigurinë rajonale.

Dr. Mark Esper është sekretari i 23-të i Ushtrisë Amerikane, i cili në nëntor të vitit 2017 është konfirmuar nga Senati Amerikan.

Si sekretar i Ushtrisë Amerikane, Dr. Esper është përgjegjës për të gjitha çështjet që ndërlidhen me Ushtrinë Amerikane, përfshirë rekrutimin, organizimin, trajnimin, pajisjen dhe kujdesin për 1.4 milionë pjesëtarë aktivë, Gardën Nacionale, Ushtarët Rezervë, Departamentin e Civilëve të Ushtrisë dhe familjet e tyre.