Lajme

Serbët vendosin sot për largimin nga institucionet e Kosovës

Në veri të Kosovës, më 5 nëntor, do të takohen përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës.

Në të njëjtën ditë në Beograd do të mbahet mbledhja e Qeverisë serbe, për siç është paralajmëruar, situatën në Kosovë.

Në këtë mbledhje do të jetë i pranishëm edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka paralajmëruar se në takimin e 5 nëntorit do të sugjerojë që serbët të largohen nga institucionet e Kosovës.

Ky njoftim erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj në tri faza për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Vendimi kryesisht ka të bëjë për targat KM (Mitrovica e Kosovës) të cilat janë të paligjshme në Kosovë, por që deri më tani janë toleruar vetëm në komunat në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Megjithatë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb, që janë pjesë e rajonit të veriut, nuk do të respektojnë vendimin e Qeverisë për të qortuar shoferët me targa të lëshuara nga Serbia.

Kështu deklaroi më 2 nëntor, Nenad Gjuriqi, drejtor i policisë për rajonin e veriut, i cili u suspendua nga detyra një ditë më pas.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim, sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq.