Thaçi tregon pse nuk mori pjesë në Samitin e Ohrit
Kosova nuk po merr pjesë në Samitin e Ohrit, këtë e ka konfirmuar edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i cila ka treguar edhe arsyen pse nuk është i pranishëm.
Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, ka treguar arsyet se përse ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit.
Thaçi përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, thotë se mospjesëmarrja e tij bazohet në disa argumente. Si arsye të parë ai ka përmendur se në Samitin e Parë, Kosova ishte anashkaluar qëllimshëm nga Serbia, si dhe këtë takim të dytë që po zhvillohet në Ohër e ka cilësuar si të pakuptimtë pasi që Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin Kosovën.
“Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave. Por, Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur“, ka shkruar Thaçi.
Thaçi më tej ka thënë se vetëm atëherë kur pengesat aktuale tejkalohen përmes dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke, do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta
“Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, ka shkruar Thaçi
Takimi do të vazhdoj edhe nesër në mes të kryeministrit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Presidentit serb, të cilët do të zhvillojnë një takim trepalësh të Ballkanit Perëndimor që të arrijnë një marrëveshje për ‘Mini Schengen Ballkanik’
Ndërkaq, më herët edhe Ministri i Jashtëm në Detyrë, Behgjet Pacolli, konfirmoi se nuk do të shkojë në Ohër, pasi që ftesa i ka arritur shumë vonë dhe ai ndodhet jashtë vendit.