Lajme

Kurti takon senatoren Cidrac, thotë se bashkëpunimi Francë-Kosovë mund të thellohet

Kandidati i për kryeministër dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njofton se është pritur në takim nga Senatorja dhe Kryetarja e Grupit të Miqësisë së Francës me Ballkanin Perëndimor, Marta de Cidrac.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se senatoren Cidrac e ka njoftuar me situatën politike e institucionale, duke theksuar zotimin e Qeverisë për zhvillim e siguri.

Kurti tutje ka thënë se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe Francës mund të thellohen e zgjerohen.

“Më uroi për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Kosovë dhe dëshiroi të mësonte më shumë për gjendjen në vendin tonë. Senatores Cidrac ia shpreha mirënjohjen e popullit tonë për përkrahjen e Francës dhe i shpjegova për situatën politike e institucionale, ekonomike e sociale te ne, duke theksuar zotimin e qeverisë sonë për zhvillim e siguri, demokratizim e drejtësi. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kosovës e Francës mund të thellohen e zgjerohen”, ka shkruar Kurti.