Thaçi shqyrton tri opsione për qeveri, të tjerët presin vendimin e tij
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mund të ndërmarrë qysh sot një veprim në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për formimin e qeverisë së re.
Që nga 25 marsi, kur Kuvendi i Kosovës votoi mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, Thaçi kishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, 2019, por edhe nga partitë tjera, që të gjejnë zgjidhje për formimin e qeverisë së re.
Siç merr vesh Radio Evropa e Lirë, ditëve të fundit janë shqyrtuar disa mundësi ligjore nga presidenti i Kosovës, ndër të cilat dominojnë tri opsione. T’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në bazë të aktgjykimit të saj të marrë vendimin, t’i japë një afat kohor të fundit Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes për dërgimin e emrit të mandatarit te presidenti për formimin e qeverisë apo t’ia kërkojë drejtpërsëdrejti Lidhjes Demokratike të Kosovës emrin e kandidatit për kryeministër, marrë parasysh mungesën e përgjigjes nga partia fituese (Vetëvendosje).
Te opsioni i parë, konsiderohet se është krejtësisht i ligjshëm e kushtetues, kurse dy opsionet tjera, besohet se mund të sfidohen më pas nga Lëvizja Vetëvendosje në Gjykatën Kushtetuese.
Një aktgjykim i ri nga Gjykata Kushtetuese
Presidenti Thaçi, gjatë paraqitjeve të tij para mediave, ka deklaruar se vendi i tij në lidhje me qeverinë e re do të jetë në harmoni me Kushtetutën.
Neni 95 i Kushtetutës së Kosovës parasheh që “presidenti i Republikës së Kosovës i propozon kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në kuvend për të formuar qeverinë”.
Ky formulim në Kushtetutë e ka mbajtur deri më tani vendimin e presidentit të varur nga përgjigja e Lëvizja Vetëvendosjes, si parti fituese e zgjedhjeve.
Kushtetuta e parasheh që partia fituese i dërgon emrin e mandatarit presidentit dhe në një afat prej 15 ditëve, nga caktimi i mandatarit, duhet ta formojë qeverinë me mbështetjen e të paktën 61 votave në kuvend. Në të kundërtën, partia fituese dështon dhe presidenti e nis edhe rrethin e dytë të konsultimeve, në mënyrë që vendi t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.
Krahas Kushtetutës, është edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, po në lidhje me formimin e qeverisë. Atë kohë, ky mendim ishte kërkuar pasi që partitë jofituese të zgjedhjeve, synonin ta formonin qeverinë pa partinë fituese, në atë kohë, pa Partinë Demokratike të Kosovës.
Në atë aktgjykim thuhet: “Në rast se kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara ne pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun.
Sipas këtij aktgjykimi thuhet se “nuk përjashtohet që presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër”.
Por, që të vjen në shprehje diskrecioni i presidentit, nëse ai në rrethin e dytë do t’ia besonte Lidhjes Demokratike të Kosovës formimin e qeverisë, pasi që LDK e ka shprehur publikisht synimin e saj, presidenti duhet të sigurohet se është shterur mundësia e parë, ajo e partisë fituese.
Në këtë aspekt, REL mëson se nëse presidenti do t’i drejtohet Kushtetueses, mes tjerash do të kërkojë interpretimin se a konsiderohet mungesa e përgjigjes nga Vetëvendosje si shterje e afatit kushtetues dhe dëshmi për partinë fituese të zgjedhjeve se nuk mund ta formojë qeverinë, në mënyrë që të kalohet në opsionin e dytë.
Çdo anashkalim i partisë fituese që në rrethin e parë të përpjekjes për formimin e qeverisë, nga njohësit e Kushtetutës është parë si problematik për kah ana kushtetuese.
Afati i fundit për Vetëvendosjen
Të paktën tri letra i janë drejtuar Albin Kurtit nga presidenti Hashim Thaçi përmes së cilave i është kërkuar atij që ta propozojë emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re. Por, në vend të emrit, Kurti i ka kthyer letra Thaçit, duke i thënë mes tjerash se për të angazhimi parësor është në luftimin e përhapjes së koronavirusit. Kurse për qeverinë e re, Kurti i ka shkruar Thaçit se nuk mund të përdorë “standarde të dyfishta”, duke potencuar se nuk mund të formohet qeveria e re, por vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.