Lajme

THAÇI REAGON SËRISH, PARALAJMËRON VENDIME QË MBËSHTETEN NGA SHBA-JA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë paralajmëruar se në ditët dhe javët në vazhdim institucionet e Kosovës do të marrin vendime që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një reagim në Facebook disa minuta pasi thumboi kryeministrin Haradinaj për taksën ndaj Serbisë.

Thaçi, përmes një shkrimi në Facebook, u shpreh se të gjitha institucionet e shtetit po punojnë në favor të interesave kombëtare.

“Në ditët dhe javët në vazhdim, institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin veprime dhe vendime në interes shtetëror dhe të forcimit të partneritetit me aleatët tanë ndërkombëtarë. Të gjitha institucionet shtetërore janë në shërbim të mbrojtjes, avancimit dhe arritjes së qëllimeve tona strategjike shtetërore”, deklaroi Thaçi.

“Dialogu dhe marrëveshja eventuale paqësore vetëm sa e përshpejtojnë realizimin e synimeve tona për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB. Këto synime janë të arritshme, për aq kohë sa jemi të bashkuar, pozitë, opozitë dhe shoqëri civile, flasim fuqishëm njëzëri dhe kemi mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, respektivisht mbështetjen e SHBA-së”, u shpreh presidenti i Kosovës Hashim Thaci.