Lajme

Thaçi presion QUINT-it: U kërkon deklaratë për vendimin e Kushtetueses, ata e refuzojnë

Kur Gjykatës Kushtetuese i kanë mbetur edhe nëntë ditë deri në nxjerrjen e vendimit për mandatarin e qeverisë, presidenti Thaçi ka mbledhur sërish ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefen e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalia Apostolova.

Sipas asaj që ka shkruar presidenti në “Twitter”, aty është diskutuar edhe për rëndësinë e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e tij.

Një burim i KOHËS brenda QUINT-it ka thënë se temë diskutimi ka qenë vendimi i Kushtetueses. Sipas burimit, Thaçi ka pasur edhe një kërkese për ambasadorin e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, si dhe shefen e BE-së.

“Na tha mes rreshtash se do të ishte mirë të bënim një lloj sensibilizimi publik dhe të kërkojmë që secili t’i pranojë pavarësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës Kushtetuese, në nxjerrjen e vendimit. Por, vështirë se mund ta bëjmë këtë, sepse nuk komentojmë asgjë që ndërlidhet me vendimet specifike të Gjykatës Kushtetuese. Veçanërisht tani, sepse, sipas zhvillimeve, Gjykata pritet ta marrë vendimin së shpejti, prandaj ka mundësi të manipulohet me qëndrimin tonë”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti.

Në lidhje me takimin KOHA ka pyetur zyrtarisht ambasadat e QUINT-it në Kosovë. Në Zyrën e BE-së kanë thënë se Gjykata Kushtetuese si autoriteti më i lartë që merret me interpretimin e Kushtetutës nuk duhet t’u nënshtrohet në asnjë mënyrë presioneve të individëve ose institucioneve.

“Thelbi i sundimit të ligjit qëndron në sigurimin e profesionalizmit dhe pavarësisë së saj nga ndikimet politike. Kjo është pikërisht arsyeja pse gjyqtarët e saj zgjidhen nga Kuvendi me shumicë votash. Shefja e Zyrës së BE/EUSR takohet rregullisht me liderët të Kosovës për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale BE-Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Ndërkaq Ambasada e Britanisë së Madhe ka sugjeruar t’i referohemi një deklarate të mëhershme të ambasadorit Nicholas Abott, ku ka kërkuar që vendimet e Kushtetueses të respektohen nga të gjithë dhe se Gjykata duhet të marrë vendime të pavarura e pa frikë ose favore.

Ndërkohë kanë vazhduar edhe të martën deklarimet politike rreth vendimit potencial të Kushtetueses.