Maqedoni

Në Maqedoninë e Veriut festa e Bajramit mund të kalohet në karantinë

Festa e Bajramit në Maqedoninë e Veriut mund të kalohet në karantinë. Komisioni për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar ndalimin e lëvizjes nga dita e shtunë në ora 19:00 deri të martën në 5 të mëngjesit, njofton “Alsat-M”.

Por, ende nuk ka një vendim të qeverisë për këtë kërkesë.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, e ka arsyetuar këtë kërkesë me orë policore, duke thënë se rastet e ditëve të fundit janë pasojë e tubimeve familjare.

“Të gjitha këto raste që i kemi ditëve të fundit në përqindje të madhe janë si pasojë e tubimeve familjare në ditët që i lamë pas. Për shkak të mosrespektimit të masave kemi raste të reja, kështu që vlerësojmë se vetëm një masë rigoroze do të ketë efekt të vërtetë”, ka thënë Filipçe.

Sipas shifrave të Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë Veriore në 24 orët e fundit janë regjistruar katër raste me fatalitet dhe janë regjistruar 19 të infektuar të ri. Maqedonia e Veriut ka 110 të vdekur nga koronavirusi.