Lajme

Haradinaj falënderon Britaninë për konsistencë kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar Britaninë e Madhe, për qëndrimin që ka shfaqur kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës, duke pohuar se kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme.

“Mirënjohës dhe falënderues për qasjen konsistente të Qeverisë së Britanisë së Madhe ndaj idesë luftënxitëse e destabilizuese të ndryshimit të kufirit të Kosovës me Serbinë, si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me shtetin fqinj. Në debatin e sotëm për Kosovën në Parlamentin Britanik, Ministri për Evropë, Sir Alan Duncan e cilësoi si tejet të rrezikshëm për Ballkanin, debatin për ndryshimet e kufijve, që do të shfrytëzohej si presedan nga palët e treta”, ka thënë Haradinaj.

“Kufijtë në Ballkan nuk janë perfekt, dhe lëvizja e tyre është shumë e ndjeshme dhe e rrezikshme. E përsëris se Kosova është e interesuar për marrëveshje me Serbinë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke brenda kufijve aktual të 17 shkurtit 2008”, ka thënë Haradinaj.