Lajme

Thaçi nga Tirana godet Haradinajn për “miqësinë” e tij me Radoiçiqin

Njeriu që vetë kishte proklamuar idenë e ndryshimit të kufijve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm mbi trupin e tij të vdekur.

Në Samitin e dytë të Diasporës që po mbahet në Tiranë, ai ka thënë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh, pasi ai është pazar, raporton KTV.

Por, ka thënë se nuk ka njeri që do të mund t’i dalë përpara për t’ia ndaluar angazhimin e tij për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Derisa, ka shprehur bindjen e tij askush nuk do të mund ta cenojë Trepçën, Ujmanin e asnjë cep të Republikës së Kosovës.

Presidenti ka lavdëruar diasporën për kontributin e tyre të dhënë gjatë luftës së UÇK-së.

Por, nga Tirana, ka sulmuar kundërshtarët politikë në Kosovë e Shqipëri.

Ka thënë se disa e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviqin, e disa të tjerë janë miq të Radojçiqit, të cilin tha sa e ka dëbuar nga Kosova.

Ai e ka goditur Haradinajn, edhe kur ka thënë se organizimi i ndonjë konference me Rusinë dhe ideja e Unionit Ballkanik, kurrë nuk do të ndodhin.

Ndërsa, kryeministri Rama, fjalimin e nisi me krahasimin dhe zhvillimet që kanë ndodhur në harkun kohor mes samitit të parë dhe këtij të tanishmit.

Ai deklaroi se shqiptarët, përmes Kosovës, janë përballë një sfide historike që përcakton se si do të jetojnë pas 30 vjetësh ata që ende nuk kanë lindur.