Lajme

Thaçi mirëpret miratimin e Ligjit për Simbolet Kombëtare në Malin e Zi

Me 41 vota pro, është miratuar Projektligji për Simbolet Kombëtare i hartuar nga ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Malin e Zi, i cili garanton edhe përdorimin e lirshëm të flamurit shqiptar nga shqiptarët e Malit të Zi.

Miratimin e këtij ligji e ka mirëpritur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Miratimi i Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare nga Kuvendi i Malit të Zi është lajm i mirë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje. Ky vendim e forcon edhe më shumë multietnicitetin dhe ndjesinë e përkatësisë së çdo qytetari në Mal të Zi”, shkruan Thaçi në Facebook.

Thaçi tutje shkruan se “në çdo shoqëri demokratike është shumë e rëndësishme që asnjë individ apo grup të mos mbetet i margjinalizuar, i harruar apo i përjashtuar prej saj”.

“Si President i Republikës së Kosovës e uroj Malin e Zi dhe gjithë bashkëkombësit shqiptarë në këtë vend fqinj, të cilët me shekuj të tërë e ruajtën identitetin tonë kombëtar”, përfundon Thaçi.