Lajme

Thaçi mesazh për UNMIKUN dhe EULEXIN: Gabuat rëndë, krimet e Serbisë nuk do të ndëshkohen në Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë diskutimit publik për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë, tha se Unmiku dhe misioni i Eulexit, kanë gabuar rëndë kur kanë dhënë opinionin e tyre që krimet serbe të ndëshkohen në Serbi, shkruan GazetaBlic.

Sipas presidentit Thaçi, këto krime nuk do të ndëshkohen në Serbi, duke dhënë kritika kështu edhe për drejtësinë ndërkombëtare, të cilët sipas Thaçit, kanë heshtur totalisht kundrejtë këtyre krimeve.

“Ne kemi pasur 10 vite këtu të administratës së UNMIKUT dhe misionit të EULEXIT, opinion i tyre që krimet që ka kryer Serbia në Kosovë të gjykohen në Serbi, është mesazh i qartë i amnistisë së gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë.”

“Krimet që ka kryer Serbia në Kosovë nuk ndëshkohen në Serbi, ky ka qenë një gabim i rëndë edhe i UNMIKUT, ka qenë justifikim dhe vonim edhe nga Tribunali i Hagës por gjithashtu edhe nga EULEXI sot Serbia nuk ballafaqohet me atë çka ka ndodhë në Kosovë, dhe kemi heshtje totale ndërkombëtare ndaj këtij gjenocidi që ka kryer Serbia”, tha Thaçi.