LajmeTë fundit

Thaçi i përgjigjet Haradinajt: Përpjekja për bashkimin e Luginës e ka ndalur angazhimin që veriu t’i jepet Radojçiqit

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, i është përgjigjur shpejt komenteve që kryeministri Ramush Haradinaj i bëri në një tubim me strukturat e partisë së tij, e ku tha se nuk e ka pasur të lehtë ta kthejë në rrugë të duhur dialogun me Serbinë.

Thaçi, në një postim të tij në Facebook, ka thënë se e drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre.

“Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, ka thënë Thaçi.

Kujtojmë se Thaçi ka qenë zëvendëskryeministër që bashkë me Isa Mustafën shef të tij në ekzekutiv, kishte qenë në Bruksel kur qe nënshkruar marrëveshja për Asociacionin, për të cilën Kushtetuesja gjeti se ai dokument shkel Kushtetutën në 23 nene.

Sidoqoftë, Thaçi ka thënë se vazhdon të besojë fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe për arritjen e këtij qëllimi ne duhet të jemi të bashkuar.

“Humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm”, ka thënë Thaçi.