Tensionohet seanca ku po dëshmon Thaçi për ‘gylenistët’, përplasje mes anëtarëve të Komisionit
Dëshmia e presidentit të Kosovës për rastin e depërtimit të gjashtë shtetasve turq, ka filluar me përplasje në Komisionin Hetimor të Kuvendit të Kosovës.
Anëtari i këtij Komisioni nga radhët e PSD’së, Frashër Krasniqi, i ka thënë presidentit të Kosovës, se Kuvendi i Kosovës nuk i jep llogari presidencës, pasi që ky i fundit ka kërkuar sqarime nga Komisioni se cili institucion ligjor i Kuvendit e ka miratuar kërkesën për angazhimin e ekspertit nddërkombëtar që ka hartuar një draft raport.
Krasniqi ka kritikuar edhe anëtarin e PDK’së, Hajdar Beqajn, i cili ka dalë në mbrojtje të presidentit Thaçi duke thënë se komisioni ka humbur kredibilitetin dhe se nuk e dijnë fare se kush është eskperti i angazhuar.
Më tej ai e ka pyetur Thaçin se a është kontaktuar nga Erdgoani para depërtimit të gylenistëve.
Ndërkohë ka reaguar pastaj Hajdar Beqa duke thënë se presidenti Thaçi nuk është njeri i PDK’së.
Më pas ka reaguar kryetari i këtij Komisionin, Xhelal Sveçla, duke i thënë Beqës se nuk ka të drejtë të marrë fjalën pa ia dhënë.
Anëtari i VV’së, Sami Kurteshi, në fjalën e tij pas Sveçlës ka thënë se presidenti Thaçi ka ardhur në Komision me skenar për të prishur mbledhjen bashkë me anëtarët e PDK’së në Komision.
Më pas Kureshi ka treguar se kush është eksperti ndërkombëtar që është angazhuar, duke akuzuar pastaj Beqën se po dëshiron që ta prish mbledhjen.
Para tre ditëve ishte paraparë që të mbahej kjo seancë dëgjimi për Thaçin, megjithatë ky i fundit kishte kërkuar shtyrjen e saj për këtë të premte.
Skandali i dëbimit të gjashtë shtetasve turq, kishte nxitur reagime të shumta, dhe si pasojë kishte pasur shkarkimin e ish-ministrit Flamur Sefaj, dhe kreut të AKI-së, Driton Gashi.