ShqipëriTë fundit

Tensionohet protesta e opozitës, flakë para Kryeministrisë

Protestuesit kanë intensifikuar hedhjen e kapsollave në drejtim të godinës së Kryeministrisë.

Policia deri tani ka identifikuar katër persona me maska, të cilët sipas policisë nuk duhet të jenë në protestë pasi hedhin kapsolla të rrezikshme. Megjithatë, para protestuesve ka vetëm një kordon policësh, ndërsa forcat “Shqiponja” dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë qëndrojnë në distancë.

Protestuesit janë tashmë më të shumtë në numër dhe kanë nisur edhe hedhjet e para të tymueseve apo shashkave para Kryeministrisë, por edhe bojë në muret e godinës, ndërsa ende nuk ka mbërritur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Megjithatë nuk ka pasur asnjë konfrontim me rreshtin e parë të policëve që janë vendosur në trotuarin para Kryeministrisë.

Protestuesve iu janë bashkuar edhe pjesëtarë të Aleancës për Teatrin, një grup aktivistësh dhe artistësh të cilët kundërshtojnë projektin për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një godine të re. Partia Demokratike ka zhvilluar disa herë takime për këtë çështje dhe këtë herë ata kanë vendosur të bashkohen në protestën e opozitës.

Burimet nga opozita thonë se protesta do të zgjasë të paktën 3 orë, deri rreth orës 22:00, por nuk përjashtohet mundësia që të vazhdojë edhe më gjatë.