Të fundit

Dr. Salihu: Kemi zbutje të situatës me Covid-19 në Bujanoc, por asesi nuk duhet të lirohemi

Mjeku specialist i mjekësisë së përgjithshme, Adnan Salihu, njëkohësisht kryeshef i Repartit të shërbimit shëndetësor për popullatën e rritur në shtëpinë e shëndetit në Bujanoc, ka thënë se gjatë dy ditëve të fundit vërehet zvoglim i numrit të pacientëve në Covid nambulancën e këtij institucioni shëndetësor.
Sa për ilustrim, dr. Salihu ka përmendur ditën e djeshme ku në ambulancën Covid janë trajtuar 46 pacientë, e që është numër më i vogël në krahasim me të kaluarën ku kërkonin ndihmë më tepër se 80 pacientë.
Siç potencon dr.Salihu, në këtë numër bëjnë pjesë edhe personat që kërkojnë përshkrim të barnave nga raportet e instancave spitalore ku kanë qëndruar më herët.
„ Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të lirohemi por se në përpikëri duhet zbatuar rekomandimet dhe masat që janë në fuqi „, ka thënë dr.Salihu.
„ Pacientët që paraqiten janë me pasqyra klinike të ndryshme, nga më të lehtat deri tek më të rëndat,siç është ndezja e mushkërive „, është shprehur Salihu.
Dr. Adnan Salihu bënë thirrje që akoma të shmangen grumbullimet, të respektohet distanca, të mbahet maska si dhe t’i kushtohet rëndësi maksimale higjienës personale.
Kur është në pyetje përdorimi i maskave, Salihu tërheq vërejtjen se me të duhet mbulur si goja ashtu edhe hunda, e jo vetëm goja siç e praktikojnë disa qytetarë.
Gjë tjetër e rëndësishme, sipas Salihut, është paraqitja e pacientit tek mjeku posa të vëret ndonjëri nga simptomet tashmë të njohura për virusin korona.
Ndryshe, të dhënat e fundit flasin se në komunën e Bujanocit janë konfirmuar edhe katër raste të reja me Covid 19.