Bota

Tensione mes Amerikës dhe Rusisë në Këshillin e Sigurimit për Venezuelën

Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, të shtunën i kërkoi Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të “zgjedhë një anë” mes Venezuelë së lirisë ose Venezuelës së kaosit në atë që ai e denoncoi si “shtet i paligjshëm mafioz” i mbikëqyrur nga presidenti Nicolás Maduro.

“Nuk ka më vonesa, nuk ka më lojëra”, tha ai në një pamje relativisht të rrallë në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të thirrur nga Shtetet e Bashkuara. “Ose qëndroni me forcat e lirisë, ose bëhuni palë me Maduro dhe kauzën e tij”.

Rusia kundërshtoi mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, ndërsa ambasadori i Rusisë në KB Vassilij Nebenzia, kërkesën e tij e bazoi në pohimin se çështjet e brendshme të Venezuelës nuk paraqesin kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Nebenzia kërkoi që séanca të anulohet, por në votimin nuk fitoi mbështetjen e nevojshme.

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo gjatë adresimit të tij theksoi se Qeveria, siç tha, në krye me Nicolas Maduron “jolegjitim” është përgjegjëse për krizën humanitare në vend dhe për këtë shkak miliona persona e kanë braktisur këtë vend.

Pompeo pohoi se në Venezuelë në mesin e çdo 10 banorëve të këtij vendi, nëntë jetojnë në varfëri, dhe se miliona fëmijë përballen me problemin e kequshqyerjes ekstreme.

Ai shtoi se vendi i tij vazhdon t’i shtrijë dorën Venezuelës për një të ardhme më të mirë, dhe në këtë kontekst i bëri thirrje Këshillit që të njeh kryetarin e Parlamentit kombëtar Juan Guaido, si president të përkohshëm të këtij vendi, si dhe mbështet transicionin politik në vend.

Sesioni i gjatë nënvizoi ndarjet e thella në Kombet e Bashkuara mbi Venezuelën. Madje, aleatët e Maduro akuzuan Uashingtonin për përpjekjen e një grushti shteti në Karakas, duke e karakterizuar atë si më të fundit në një varg ndërhyrjesh amerikane në Amerikën Latine që datojnë më shumë se një shekull.

Gjatë sesionit u pa gjithashtu gjendja e acaruar të marrëdhënieve të SHBA me Rusinë dhe Kinën, dy vende që Pompeo akuzoi për “mbështetjen e një regjimi të dështuar në shpresën e rimëkëmbjes së miliarda dollarëve në investime të këqija dhe ndihma të bëra gjatë viteve nga këto dy vende”.