Të fundit

Të gjitha rrugët në komunën e Preshevës do të jenë në gjuhën shqipe

Kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi ka mbajtur takim me kryetarët e Shoqatës për trashëgimi kulturore, shoqatës së shkrimtarëve dhe të Shoqatës së pensionistëve të komunës sonë.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i listës së propozimeve të emrave të rrugëve dhe shesheve në vendbanimet e komunës sonë dhe marrjen e propozimeve nga këto shoqata, për përfshirjen e emrave të figurave eminente të historisë e kulturës sonë kombëtare, me theks të veçantë të asaj preshevare.

Emërtimi i rrugëve në vendbanimet e komunës sonë, paraqet obligim ligjor me vendim të Ministrisë së pushtetit lokal, në bazë të Elaboratit të dërguar nga përfaqësuesit e tyre në komunën tonë.

Komisioni për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të komunës sonë deri më tani i ka shqyrtuar të gjitha propozimet e dërguara nga përfaqësuesit e komunitetit të rrugëve në të cilët ata frekuentojnë, si dhe Bashkësive Lokale të komunës sonë.

Pushteti lokal ka këmbëngulur që emrat e të gjitha rrugëve në komunën e Preshevës të jenë në gjuhën shqipe në vendbanimet me shumicë të popullatës shqiptare, të bazuar në kaluarën tonë të ndritshme kombëtare e preshevare.

Qytetarët tanë do të pajisen me adresa të sakta, si dhe dokumenta të qarkullimit, të cilat do të jenë të standardizuar sipas normave evropiane.

Komisioni për emërtimin e rrugëve dhe shesheve ka prezantuar procesin e deritanishëm në mënyrë të detajuar, për të gjitha rrugët e vendbanimeve të komunës sonë.

Pas përfundimit të të gjitha procedurave administrative dhe ligjore, zyrtarisht do të bëhet emërtimi i rrugëve të reja, ndryshime këto të cilat do të përfshihen me rastin e përtëritjes së dokumentat personale të udhëtimit të qytetarëve tanë, pas skadimit të afatit të tyre.