FutbollSporti

Talentët e Luginës Preshevës, test me fituesit e Turneut Rajonal/Jakupi: Ky, vetëm fillimi!

E hëna ka qenë një ditë e veçantë për futbollin shqiptar, pasi dy ekipe moshash nga Lugina e Preshevës kanë mbërritur në Tiranë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore me ekipet fituese të grup-moshave U-13 dhe U-14 në Turneun e Përfaqësueseve Rajonale të FSHF.

Kjo iniciativë është një tjetër hap në kuadër të bashkëpunimit mes Federata Shqiptare e Futbollit dhe Zyrës Rajonale të FSHF në Preshevë, i zyrtarizuar pak muaj më parë dhe që drejtohet nga Nagip Jakupi.

Prej disa javësh, Jakupi me stafin e tij kanë zhvilluar seleksionime në të gjithë Luginën për të sjellë dy përfaqësueset U-13 dhe U-14 në këto miqësore që u zhvillua ne Qendrën e ekipeve Kombëtare në Kamëz. Ndeshja e parë mes ekipit fitues të turneut për moshën U-13, Tiranës dhe Preshevës përfundoi me fitoren 1-0 të kryeqytetasve, ndërsa përballja mes ekipeve U-14 të Tiranës dhe Preshevës u mbyll me shifrat 2-0 për ekipin e Zyrës Rajonale të FSHF në Tiranë.

Lojtarët në këto dy miqësore u vëzhguan me kujdes nga stafi teknik i Departamentit Teknik dhe trajnerët e ekipeve Kombëtare. Investimi në stërvitjen dhe monitorimin e rritjes së lojtarëve të rinj është themeli i përfaqësueseve rajonale dhe turneut që organizohet.

Në fund të ndeshjes, përgjegjësi i Zyrës Rajonale të FSHF në Luginën e Preshevës, Nagip Jakupi, vlerësoi organizimin e këtyre ndeshjeve dhe ndihmën që Federata po i jep zhvillimit të futbollit në këtë zonë.

“Së pari shfrytëzoj rastin të falënderoj presidentin e FSHF-së, Armand Duka për mbështetjen që na ka dhënë për Zyrën Rajonale të Preshevës. Po ashtu edhe stafin e federatës me të cilët bashkëpunojmë vazhdimisht në komunikim të përditshëm për të zhvilluar futbollin në Luginën e Preshevës. Për ne është kënaqësi shumë e madhe, sepse është historike, është hera e parë që organizohet një ndeshje e tillë dhe shpresoj që ky aktivitet të jetë vetëm fillimi dhe të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen. Jemi në hapat e para të seleksionimeve si zonë rajonale dhe shpresojmë që në vazhdimësi të shohim elementë cilësorë të cilët do të vlejnë për ekipet kombëtare në të ardhmen”, tha Jakupi, duke zbuluar edhe faktin se për djemtë nga Presheva ishte emocionuese të zhvillonin një ndeshje të tillë në Shqipëri.

“Normalisht kjo për djemtë tanë kjo ndeshje ishte e para e këtij lloji dhe ishin shumë të emocionuar, pasi për ne është shumë e rëndësishme mbajtja veshur e fanellën kuqezi. Kjo gjë i ka emocionuar shumë djemtë në fushën e lojës. Sot në këtë test kemi mundur të shohim cilësitë tona krahasuar me moshatarët e Tiranës. Na duhet të punojmë edhe më shumë, është një punë e gjatë dhe e vështirë e shpresoj që në të ardhmen do të përmirësohemi në këtë drejtim”, – tha Jakupi.

Ndërsa, eksperti i futbollit në Departamentin e Ekipeve Kombëtare, Sulejman Mema, vlerësoi punën që po bëhet nga Zyra e Preshevës si edhe u shpreh optimist për zbulimin e elementëve që mund të jenë të vlefshëm në të ardhmen për ekipet kombëtare të Shqipërisë.

“Mendoj që konkluduam shumë mirë edhe në aspektin organizativ. Them që realizuam qëllimin kryesor të këtij takimi për të cilin ne punonim prej kohësh. Kështu ne e ndihmojmë futbollin në Luginën e Preshevës, por është e vlefshme edhe për ne që të shohim nga afër elementët që mund të ketë Presheva dhe ato që mund t’i bashkëngjiten ekipeve tona kombëtare. Duke u nisur nga tradita që ne kemi, nga eksperiencat duke pasur parasysh Berat Gjimshitin apo Mimoza Hamidin, të cilët janë pjesë e ekipeve tona kombëtare, mendoj që ne do të vazhdojmë të evidentojmë shqiptarët e Preshevës, në mënyrë që ata të mund të jenë pjesë e ekipeve tona. Ndihma jonë është e pakursyer si me specialistët ashtu edhe nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit. Mendoj që edhe sipas komunikimit që kemi pasur edhe me kryetaren e Komunës së Preshevës, janë të gatshëm për të ndihmuar këto grup-mosha që e kanë të domosdoshme infrastrukturën e duhur për të rritur nivelin e këtyre grup-moshave. Kam qenë në Preshevë para disa muajsh dhe mendoj që ka elementë që mund të vlejnë në ekipet kombëtare për cilësitë që kanë”, – u shpreh Mema për Fshf.org