Shqipëri

Skuadra amerikane SEAL, stërvitje në Tiranë

Skuadra amerikane “SEAL” ka zhvilluar një stërvitje në rrethinat e Tiranës. Në këtë stërvitje kanë qenë të angazhuar edhe Forcat Speciale Shqiptare.

Ekipet amerikane dhe ato shqiptare për dy javë u stërvitën në bazën e Forcave Speciale dhe Komando. Ky trajnim shërbeu për Forcat Speciale Shqiptare të cilat do të nisen në Afganistan, si pjesë e misionit të NATO-s.

“Skuadra e SEAL (Sea, Air, and Land Teams/Ekipet e Detit, Ajrit dhe Tokës) e Flotës së Shteteve të Bashkuara bëri një stërvitje të përbashkët luftimi me Forcat Speciale Shqiptare në fshatin e stërvitjes urbane në bazën e Forcave Speciale dhe Komando, në rrethinat e Tiranës. Kjo mundësi 2 javore shërbeu si një trajnim për forcat shqiptare përpara nisjes së tyre në Afganistan, si pjesë e misionit të NATO-s“, shkruan ambasada amerikane në një postim në Facebook, ku ka publikuar edhe foto nga stërvitja dy palëshe.