Situata në veri: Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë
Në Beograd po mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku po merr pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo seancë, ku takohen përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të sigurisë në Serbi, po mbahet një ditë pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, raportoi Danas.
Policia e Kosovës asistoi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaiviqit dhe Zubin Potokut që të hyjnë në zyrat e tyre, që hasi në kundërshtim nga grupe të serbëve lokalë të cilët shtinë edhe me armë. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë qytetarët e mbledhur para ndërtesave komunave.
Serbia lëvizi ushtrinë në drejtim të kufirit e ndërkombëtarët qortuan Kosovën për aksionin. Departamenti Amerikan i Shtetit dha qëndrimin se veprimet do të kenë pasoja në raportet Kosovë-SHBA.