Lajme

Sipas një sondazhi, 42% e qytetarëve të Serbisë konsiderojnë se Kosova është e humbur

Instituti për Çështje Europiane në Beograd ka publikuar sot një hulumtim në lidhje me qëndrimet e qytetarëve të Serbisë ndaj Kosovës. Sipas këtij sondazhi, 42 për qind e qytetarëve të Serbisë konsideron se Kosova është e humbur, ndërsa 46 për qind se nuk është e humbur, 12 për qind ndërkaq janë të pavendosur, raportojnë mediat beogradase, transmeton Koha.net.

Qëndrimin se Kosova është e humbur kryesisht e shprehin të anketuarit me moshë në mes 30 e 44 vjeç, ata me arsimim të lartë dhe para së gjithash banorët e qyteteve.

Rreth 27 për qind e qytetarëve konsideron se qeveria aktuale e Serbisë do ta pranojë Kosovën, ndërsa rreth 53 për qind konsideron se kjo qeveri nuk do ta bëjë këtë gjë.

Qëndrimin se ky pushtet nuk do të njohë Kosovën e përfaqësojnë të anketuarit më të moshuar se 45 vjeç, në radhë të parë nga Serbia e Jugut dhe ajo Lindore si dhe ata nga vendbanimet jashtë qyteteve.

Theksohet se 77 për qind e qytetarëve nuk do ta mbështesnin pavarësinë e Kosovës në shkëmbim që Serbia të hyjë më shpejt në BE, ndërsa 13 për qind do ta bënin një gjë të tillë.

Sipas këtij sondazhi, 46 për qind e të anketuarve konsideron se nuk është e mundur që Serbia të realizojë kontrollin e plotë mbi Kosovën, ndërsa 38 për qind konsideron se kjo është e mundur.

Hulumtimi thekson se 89 për qind e respondentëve as që din se cili është plani i Serbisë për Kosovën.

Sikur nesër të mbahej referendumi rreth pavarësisë së Kosovës, numri më i madh i të anketuarve do të votonte kundër – 66 për qind e tyre, 14 për qind nuk do të dilte në votim, 11 për qind nuk e di si do të votonte, ndërsa nëntë për qind do të votonte për pavarësinë.