Sipas Haradinaj Samiti i Berlinit qartësoi se s’do bisedohet më për kufijtë e taksën
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në konferencën e tij të parë pas Samitit të Berlinit, tha se është qartësuar që nuk ka nevojë të diskutohet për taksën më, dhe se nuk ka pse të bisedohet më për idetë për kufijtë.
Duhet si Kosovë t’i shprehim falënderim kancelares Merkel, Gjermanisë për marrjen e kësaj iniciative dhe presidentit të Francës. Samiti e ka stabilizuar rajonin, procesin. Takimi i Parisit që do të mbahet është ngjarje bilaterale Kosovë-Serbi. Kosova duhet tani të plotësojë formatin e vet, sepse tani bëhet fjalë për dialog, e aty duhet të jenë edhe kryesuesit e delegacionit shtetëror. Përveç krerëve institucional, do të ishte mirë të vijnë edhe opozita. Është qartësuar që s’ka nevojë të diskutohet për taksën sepse dialogu po vazhdon. Nuk shkojmë më për të biseduar për kufij”, ka thënë Haradinaj, transmeton KP.
Ai tutje ka shtuar se, “Ne kemi dhënë konfirmim për takimin e Parisit, kam kërkuar që nga pala e Kosovës të paraqiten edhe kolegë të tjerë. Macron e ka pranuar këtë. Idetë e kaluara kanë shtyrë që të ndërrohet formati i dialogut, diskutimet për kufijtë kanë bërë që dialogu të hiqet nga formati i kaluar. Jemi në situata shumë më serioze dhe më të qëndrueshme”.
Haradianj u pyet edhe për reagimin e kryeministrit Edi Rama në Facebook, ku ka shkruar se Haradinaj ka gënjyer.
Kryeministri i Kosovës për këtë e përdori një thënie të At Zef Pllumit.
“Do t’ua tregoj të vërtetën edhe kur ju pëlqen edhe jo, do ta bëjë edhe në të ardhmen. ‘Rrno për me tregu, ka thënë At Zef Pllumi’”, ka thënë Haradinaj.
Në lidhje me taksën ai tha se kërkesa që ajo të pezullohet nuk është e re.