Sinani: U bënë një vit i plotë që nga kontrabandimi i pushtetit puçist lokal në Komunën e Preshevës
Kryetarja e PVD-së dega në Preshevë, Ardita Sinani vlerëson pushtetin një vjeçar të pushtetit lokal i përbërë nga APN, LR e UDSH.
Shkrimi i plotë i Sinanit :
Dhe ashtu siç e filluan edhe po e vazhdojnë. Totalisht pa koncept të qartë qeverisës, zhvillimor e social për qytetarët.
Kur ka arritur ky pushtet të mburret me krasitjen e pemëve në qytet duke e quajtur projekt kapital, është e qartë në çfarë gjendje kanë arritur.
Në fakt, duke ua njohur edhe të kaluarën qeverisëse, nuk është se është pritur aq shumë. Por realisht, nuk është menduar se do të bëjnë kaq pak.
Ajo që vazhdon ta mbajë konsistent këtë qeverisje lokale me në krye Sh. Arifin, është fakti se komuna jonë ashtu si nga dita e parë e kontrabandimit të pushtetit, vazhdon edhe sot të mbetet e izoluar.
E izoluar nga Tirana…e izoluar nga Prishtina.
Dhe jo për fajin e Tiranës e Prishtinës, po për fajin e udhëheqjes komunale në Preshevë në përgjithësi, e në veçanti për fajin e të parit të komunës.
Me deklaratat publike në mediat e Republikës së Kosovës, Sh. Arifi është shndërruar në objekt tallje për qytetarët e Kosovës.
Paturpësisht i ka qëndruar besnik akuzave bajate ndaj qeverive në Shqipëri e Kosovë.
E për fatin e keq tonin, kjo figurë aksidentale politike po i përfaqëson qytetarët e Komunës së Preshevës. Shpresoj e besoj shumë, jo edhe për shumë gjatë.
E në anën tjetër, asnjë fjalë për mosrespektimin e të drejtave të shqiptarëve nga Serbia.
Madje, së fundmi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim të mbajtur me strukturat komunale të serbëve në veriun e Kosovës, për të akuzuar Republikën e Kosovës e presidenten Vjosa Osmani, referencë merr deklarimet e Sh. Arifit.
Si duket, instrument i kujt është Sh. Arifi dhe për çfarë interesash po përdoret si marionetë, po del në pah.
Çdo ditë e më shumë…
Ashtu siç në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq kishte ndjerë “keqardhje” që Prishtina e Tirana kishin ndërhyrë në Preshevë, për të larguar nga pushteti një figurë që sipas tij, ishte i gatshëm për bashkëpunim me Serbinë.
Po për çfarë bashkëpunimi, as atëherë e as sot nuk u fol. As nga Vuçiq as nga Arifi.
Ndoshta në ndonjë deklarim të rradhës të presidentit të Serbisë, do të jetë më e qartë për të gjithë.
Në anën tjetër, në rrafshin lokal, ashtu sipas traditës, kur pushteti lokal udhëhiqet nga Sh. Arifi, seancat e Kuvendit Komunal vazhdojnë të mbahen në limitet ligjore.
Mbahen vetëm atëherë kur kushtëzohen nga interesat klanore e grupore të një klike që ashtu siç e risolli në pushtet, po vazhdon ta shantazhojë në mënyrë konsistente.