Sinani: Të shmangen inprovizimet qesharake, të ndërtohet një trotuar i mirëfilltë
Kryetarja e PVD’s dega në Preshevë Ardita Sinani, ka reaguar në lidhje me ndërtimin e trotuarit të një pjese të lumit të qytetit, përcjell Ministria Lajmeve.
Sinani është shprehur se as ajo e as partia që udhëheq nuk janë kundër ndërtimit të këtij trotuari, mirëpo improvozimi i një trotuari të tillë është i papranushem, konsideron kryetarja e PVD’s.
“Pamja e shëmtuar dhe cilësia e këtij trotuari janë të pa parë në infrastrukturën e Komunës së Preshevës”- ka deklaruar ajo.
Postimi i plotë
Në kohën kur e gjithë bota është përqendruar në luftë me virusin COVID19, komuna e Preshevës gjeti kohën të improvizoj trotuare!
Edhe pse disa herë kam bërë thirrje që pushteti lokal në këtë kohë të ketë si prioritet të vetin familjet në nevojë dhe bizneset lokale, ky pushtet ka vazhduar avazin e vjetër të kryerjes së punëve publike me improvizime dhe pa asnjë transparencë.
Jo që unë dhe PVD jemi kundër ndërtimit të trotuarit në këtë rrugë, por bërja ose më mirë të themi improvizimi i një trotuari të tillë është i pa pranueshëm! Aq më pak kur ne si parti politike dhe opinioni publik nuk jemi të njoftuar me procedurat e ndjekura, kush është projektues, kur është bërë tenderimi për kryerjen e punëve dhe cila është shuma financiare e shpenzuar për këtë trotuar?!
Pamja e shëmtuar dhe cilësia e këtij trotuari janë të pa parë në infrastrukturën e Komunës së Preshevës. Një ndërtim i tillë që prishë estetikën e kësaj rruge, mundë të përngjajë në gjithçka tjetër por jo në një trotuar i cili do të shfrytëzohet nga familjet tona!
Bërja e punëve publike në këtë kohë në stilin e këtij pushteti pa asnjë transparencë ka ngjallur dyshime tek ne dhe opinioni publik për keqpërdorime!
Me këtë rast unë dhe PVD kërkojmë nga pushteti lokal që në afat sa më të shkurtër, menjëherë të prishë këtë trotuar qesharak dhe të marrë hapat e duhur për fillimin e bërjes së një trotuari të vërtetë, duke shmangur improvizimet, në kuadër të procedurave ligjore, me projekt transparent, në konsultim me shfrytëzuesit e këtij trotuari, duke përfillur funksionalitetin dhe estetikën e kërkuar nga banorët e kësaj lagje!
I bëj thirrje pushtetit lokal që të mbaj premtimet e dhëna në fushatë për punë profesionale dhe transparencë, sepse qytetarëve të Komunës së Preshevës po i ofrohet vetëm joseriozitet, joprofesionalizëm dhe keq menaxhim nga ky pushtet lokal!