Sinani realizon vizitë pune në institucionet kryesore komunale
Ardita Sinani kryetarja e Komunës realizoi një vizitë pune në disa prej institucioneve dhe ndërmarrjeve më të rëndësishme për jetën shoqërore, kulturore dhe ofrimin e shërbimeve publike në komunë.
Gjatë kësaj vizite, kryetarja e komunës vizitoi Qendrën për Punë Sociale, Bibliotekën “Mehmet Jusufi”, Shtëpinë e Kulturës “Abdullah Krashnica”, Qendrën Sportive, si dhe Ndërmarrjen Publike “Moravica”.
Në takimet e zhvilluara me drejtuesit dhe stafin e këtyre institucioneve, u prezantua puna dhe angazhimi i tyre gjatë vitit 2025, i cili u vlerësua si një vit i suksesshëm në aspektin e shërbimeve publike, aktiviteteve kulturore, sociale dhe funksionimit institucional. Po ashtu, u diskutuan planet, objektivat dhe prioritetet për vitin 2026, me theks të veçantë në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe zhvillimin e mëtejmë institucional.
Kryetarja e komunës përgëzoi drejtuesit dhe stafin për punën e deritanishme, duke u uruar suksese të vazhdueshme në vitin 2026. Ajo theksoi se përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve komunale reflektohet drejtpërdrejt në mirëqenien dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
