Sinani: Pa respektimin të drejtave themelore të shqiptarëve të Luginës s’ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi
“Shqiptarët në Luginë ballafaqohen me shkelje të përditshme të të drejtave të tyre më themelore siç është e drejta për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar lirisht identitetin, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre”, kështu thotë ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani teksa flet për sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë ky komunitet.��Sinani e cila është edhe këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Gazetën Enigma ka theksuar se pa përmirësimin e kësaj gjendjeje të shqiptarëve të Luginës nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.��“Shqiptarët në Serbi u nënshtrohen nga shteti metodave të ndryshme të diskriminimit kombëtar dhe shtypjes socio ekonomike. Së fundi edhe me spastrim etnik siç u theksua edhe nga Komiteti i Helsinkut për të Drejtat e Njeriut. Çaktivizimi (pasivizimi) i adresave është një metodë që i bën në mënyrë efektive mijëra shqiptarë pa shtetësi dhe pa të drejta civile. Shqiptarët në Luginën e Preshevës mund të jenë i vetmi komunitet në Ballkan të cilit nuk i lejohet të përdorin flamurin kombëtar siç bëjnë komunitetet e tjera”, theksoi Sinani gjat intervistës.��“Në Serbi po legalizohet racizmi dhe diskriminimi”��Ish kryetarja e Preshevës thotë se ekzistojnë dy tendenca kryesore, që janë përkeqësimi i përgjithshëm i të drejtave civile në Serbi dhe shënjestrimi i veçantë i komuniteteve etnike siç janë shqiptarët. “Serbia është orientuar seriozisht drejt autokracisë ku sundon realisht një njeri i vetëm dhe shtypja e fjalës së lirë. Me kalimin e viteve, Serbia po rrëshqet mbrapa në një sërë treguesish, nga liria e mediave, pavarësia e gjykatave, e deri te thellimi i korrupsionit dhe krimit te organizuar”, shtoi tutje ajo.
Ajo ndër të tjera thotë edhe se “Serbia po rrëshqet edhe drejt institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes ndaj pakicave, revizionizmit historik dhe mohimit të krimeve të luftës”.
Përdorimi i termave nënçmues, sipas Sinanit është i zakonshëm në mesin e udhëheqjes shtetëror në Serbi, gjë që sipas saj në një formë e legalizon racizmin dhe diskriminimin. “Diçka e tillë do të konsiderohej krejtësisht e papranueshme në çdo shtet tjetër jo vetëm në Evropë, por edhe në Ballkan”.
Sipas Sinanit, në kundërshtim me disa marrëveshje politike që synojnë garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, konventat ndërkombëtare dhe ligjet e vet Serbisë të parashikuara për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat e pakicave, gjendja e shqiptarëve është serioze.��“Shqiptarët në Lugin ballafaqohen me shkelje të përditshme të të drejtave të tyre më themelore siç është e drejta për të shprehur, ruajtur dhe zhvilluar lirisht identitetin, gjuhën, traditat dhe kulturën e tyre. Pavarësisht nga boshllëku i dispozitave ligjore, mungesa e vullnetit politik të qeverisë serbe është bërë një pengesë serioze e qëllimshme për integrimin dhe realizimin e të drejtave të pakicës shqiptare në Serbi”, potencon këshilltarja e Kurtit.
Presioni sistematik, pasivizimi i adresave, shpërngulja masive, moszgjidhja e çështjes së “personave juridikisht të padukshëm”, mosnjohja e diplomave, nën përfaqësimi, mosintegrimi, asnjë përmirësim në fushën e arsimit, kulturës apo medias, mos zhvillimi ekonomik, mosimplementimi i marrëveshjeve (shkelja e marrëveshjeve politike: Marrëveshja e Konculit-2001, Marrëveshja mbi parimet e riorganizimit të trupit bashkërenduaes-2009, Marrëveshja e Planit 7 pikësh-2013), janë disa probleme me të tjera me të cilat sipas Sinanit ballafaqohen ky komunitet.
“Serbia sot insiston për një autonomi territoriale ndërkohë që ruan një sundim shtypës ndaj pakicave të veta. Qëndrimi ynë është se të drejtat e komuniteteve duhet të jenë reciproke dhe nëse një e drejtë e caktuar është legjitime për serbët në Kosovë, nuk ka asnjë dëm, por është e drejtë vetëm që t’u jepen të drejta të tilla shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shtoi Sinani.
“Të respektohen të drejtat reciprokisht për shqiptarët e Luginës sikurse serbët e veriut të Kosovës”��Ndërkohë ajo thotë se në qeverinë aktuale të Kosovës janë marrë disa vendime pozitive për Luginën në përgjithësi.
Qeveria e RKS për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin ndau 500 mijë euro për pandemi, 100 mijë euro për vërshimet, është ngritur mekanizimi i vijës së rregullt buxhetore për fonde për Luginën, janë dhënë 78 grante në vlerë mbi 1.2 mil €, si dhe janë përkrahur për 107 studentë në shumë prej 1000€, vlerë totale 107 mijë euro.��Gjatë qeverisjes Kurti financimi për Luginën është 2.292.778 euro. Nga këto mjete kanë përfituar 4010 fillorist, 950 parashkollor, 107 studentë, dhe 451 persona direkt nga grantet vetëm në vitin 2022 d.m.th. 5 mijë e 518 persona.
E teksa foli për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë dhe një normalizim të mundshëm midis dy shteteve, Sinani ritheksoi se “Nëse Serbia do ta kishte njohur Kosovën, ajo mund të lejonte përdorimin e simboleve, të njihte diploma dhe në të kundërt të rregullonte bashkëpunimin”.
Sipas saj njohja e plotë e sovranitetit të Kosovës nga Serbia është e vetmja mënyrë për të bërë përparim të pakthyeshëm për të transformuar rajonin dhe për të zvogëluar ndikimin nga shtetet e treta. “Lugina e Preshevës do të përfitonte jashtëzakonisht shumë e cila do të mund të rregullonte mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë”, shtoi ajo.
“Nuk ka paqe të qëndrueshme nëse s’ka simetri. BE-së nuk i duhet një Serbi që shkel të drejtat e pakicave. Pa përmirësimin e të drejtave nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, vlerësoi ish kryetarja e Preshevës.
Si zgjidhje të vetme ajo e sheh trajtimin e barabartë të shqiptarëve të luginës me komunitetin serb në Kosovë. “Ne presim që boshllëku i të drejtave të mohuara aktualisht të shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të trajtohet në bazë të parimit të reciprocitetit ndaj komunitetit serb në Kosovë, ashtu siç është përshkruar edhe në vetë preambulën e propozimit franko-gjerman që parashikon mbrojtjen e pakicave kombëtare, ndër të tjera, duke e lidhur me kushtet themelore për paqe”, përfundoi ajo.