Sinani kërkon zgjedhja të reja në komunën e Preshevës
Kryetarja e degës së PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani konsideron se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për ta tejkaluar krizën politike në komunën e Preshevës.
Më posht mund ta lexoni shkrimin e plotë pa ndërhyrje të Sinanit:
𝒁𝒈𝒋𝒆𝒅𝒉𝒋𝒆𝒕, 𝒛𝒈𝒋𝒊𝒅𝒉𝒋𝒂 𝒆 𝒗𝒆𝒕𝒎𝒆 𝒑𝒆̈𝒓 𝑲𝒐𝒎𝒖𝒏𝒆̈𝒏 𝒆 𝑷𝒓𝒆𝒔𝒉𝒆𝒗𝒆̈𝒔!
Tashmë është bërë një periudhë e gjatë që kur qytetarët e Komunës së Preshevës ndihen të papërfaqësuar në rastin më të mirë, e të keqpërfaqësuar në rastin më të keq.
Ka kaluar mbi një muaj nga e mbajtja e të ashtuquajturës “seancë” e Kuvendit Komunal.
Seancë kjo e mbajtur të dielën e 23 korrikut në ora 8:00 të mëngjesit, e patransmetuar në asnjë medium.
Seanca ishte ftuar me iniciativën e këshilltarëve të partisë/pushtet – APN për seancë të jashtëzakonshme me qëllim të shqyrtimit të situatës politike në Preshevë.
Errësira mediale që karakterizoi këtë “seancë” sigurisht që i paraprinë marrëveshjeve të errëta të Shqiprim Arifit me politikën e parapolitikën e nëntokës së Beogradit.
Sot, kur ka kaluar mbi një muaj nga kjo ngjarje e turpshme në Kuvendin Komunal, pushteti lokal i Preshevës tashmë nuk është i izoluar vetëm nga Prishtina e Tirana.
Kjo udhëheqje e delegjitimuar në çdo segment të saj, tashmë është izoluar edhe nga qyetarët e saj.
E pikërisht kjo dëshmon se për pushtetin aktual lokal të Preshevës, qytetarët e saj nuk janë pjesë e prioriteteve të saj. Por, interesat e kryetarit të Komunës dhe rrethit të tij të ngushtë të lidhur në krim të organizuar me bandat kriminale të veriut.
Në të rrallat dalje publike të të parit të Komunës së Preshevës, është i njejti tregim. Kritikat e fyerjet e përhershme në drejtim të Qeverisë së Shqipërisë, e në veçanti në drejtim të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër i mungon guximi e vullneti që të thot një fjalë të vetme si p.sh. për futjen në listë të zezë të SHBA ish shefin e BIA, apo p.sh. për deklaratat e Aleksandar Vuçiq i cili bashkëpunimin institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës me Qeverinë e Republikës së Kosovës e paraqet si tentativë për destabilizim dhe krijim të Shqipërisë së Madhe, apo edhe së fundmi ndaj deklaratës shoviniste të kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq se shqiptarët e Luginës nuk duhet të kërkojnë të drejta, mjafton që nuk po na vrasin.
Mbase nuk është vetëm çështje guximi, kurajo apo vullneti.
Sigurisht është çështje se nga cila anë Shqiprimi është i shantazhuar, dirigjuar e kontrolluar!
Prandaj edhe duket se po i frikësohet përballjes me qyetarët e Komunës së Preshevës.
Prandaj edhe artificialisht me seanca të turpshme si ajo e 23 korrikut po ia shtyen jetën politike vetes dhe shantazhuesve të tij, atyre që po e dirigjojnë e kontrollojnë.
Por, sigurisht kjo situatë nuk do të zgjasë edhe shumë.
Shumë shpejt këta pushtetarë do të marrin “shpërblimin” nga qyetarët e Komunës së Preshevës. Nuk do të kenë edhe shumë mundësi për zgjatje të mandatit me seanca të ftuara për “t’u diskutuar situata politike në Preshevë”.
E sigurisht, nuk do t’i mjaftojnë këtij pushteti më as gishtat e këshilltarëve të Listës Serbe.
Sepse dy votat e këshilltarëve të Listës Serbe, e të porositur nga Beogradi, Shqiprimin e shpëtuan në seancën e 23 korrikut.
Prandaj, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për Preshevën!