Lajme

Si u pajisën me shtetësi kosovare trafikantët turq të drogës?

Ministria e Punëve të Brendshme, ka promovuar për shumë vjet sistemin AFIS. Ky sistem ka qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë.

Por, në të paktën pesë raste kur kriminelë turq të drogës, e vrasës malazias, kanë marrë shtetësi të Kosovës, në emër të kosovarëve që jetojnë jashtë Kosove, ky sistem nuk ka dhënë rezultat.

U është mundësuar që pos marrjes së shtetësisë, të kenë pasaporta, letërnjoftime e patentë shoferë të Republikës së Kosovës, ani se ishin në kërkim ndërkombëtar për vrasje, e trafikim ndërkombëtar të kokainës, heroinës e drogave tjera.

Për më keq, dy trafikantë droge, Nejdet Cesuroglu, dhe Iskander Sale, të kenë nga dy identitete në Kosovë.
Turku i gjetur i vdekur në Prishtinë, Nejdet Cesuroglu ka pasur identitetin e Lavdim Nimanit që jeton në Suedi dhe Ljuljzim Shalja, që jeton në Britani të Madhe.
Ndërkaq, Iskender Sale ka pasur identitetin e Xhemaj Shalës dhe Skender Sheremetit. Vetëm mirëmbajtja e këtij sistemi në kuadër të kontratës për pasaporta, letërnjoftime dhe patentëshoferë peshon hiç më pak se 19 milionë e 817 mijë e 750 euro.