Magazina

Si të forcojmë imunitetin e fëmijëve? A ka rrugë natyrale për rritjen e imunitetit?

Si të forcojmë imunitetin e fëmijëve?

A ka rrugë natyrale për rritjen e imunitetit?

Për “Cambridge Kids”
Dr.Ismail Lutolli spec.Pediater
Subspecialist Dietolog- Nutricionist
Subspecialist Hematolog: Onkolog

Fëmijët janë të ekspozuar ndaj një numri të madh virusesh dhe bakteresh në mjedisin e tyre të përditshëm.Këta faktorë nuk do të ndikojnë në mënyrë të barabartë tek të gjithë fëmijët.

Një sistem i ngritur imunitar, i siguron fëmijës një mbrojtje të fortë natyrale nga sëmundjet.
Një sistem i qëndrueshëm imunitar, nënkupton më pak brenga gjatë sëmundjeve si dhe më pak vuajtje te vet fëmijës.

Nëse sistemi imunitar nuk është i qëndrueshëm, organizmi bëhet i ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe nuk mund të arrijë mbrojtje efikase nga infeksionet.

Megjithatë, disa veprime të kryera gjatë jetës së përditshme nga prinderit mund të favorizojnë rritjen e imunitetit të fëmijës.

Ndiçni këshillat në vazhdim :

1. Ushqimi i mirë dhe cilësor, dietë e ekuilibruar.
Një dietë e ekuilibruar siguron një sistem të fortë dhe të shëndetshëm imun.
Është e rekomanduar, që në dietën e përditshme, të përfshihen fruta të freskëta dhe perime (përmbajnë karotenoide-substanca natyrore që stimulojnë sistemin imunitar), drithërat, arra dhe fara.

Ushqimet që kontribuojnë në forcimin e imunitetit janë: limoni, grejpfruti, bananet, pjepri, boronica, luleshtrydhe, kajsia, mango.

Gjithashtu edhe perimet si: qepë, hudhër, domate, spinaq, brokoli, patate e ëmbël, kungull i njomë, karota, lakër, fasule dhe produkte soje (të gjitha këto ushqime janë shumë të pasura me nivele të larta të vitaminave, mineraleve, enzimave dhe antioksidantëve që forcojnë sistemin imunitar).

2. Sigurohuni që fëmija juaj të ketë gjumë të qetë dhe të mjaftueshëm
Nëse fëmija juaj nuk bën gjumë të mjaftueshëm, do zvogëlohet rezistenca imunitare dhe kjo do të hapë rrugë për infeksione.

Përveç kësaj një gjumë dhe pushim i mirë, do të ndikojë në zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës. Pra, është tërësisht e qartë se sasia e duhur e gjumit ndihmon në ruajtjen e shëndetit dhe mbrojtjen kundër infeksioneve.

3. Aktiviteti fizik i perditshëm
Aktiviteti i rregullt fizik tek fëmija juaj, është çelësi për të pasur një trup të shëndetshëm dhe për të shmangur sëmundjet e ndryshme. Aktiviteti fizik ndihmon në ndërtimin e shëndetit të mirë, duke arritur një qarkullim gjaku të mirë dhe duke ndihmuar furnizimin e tërë trupit me oksigjen.

Frymëmarrja e thellë, ajri i pastër dhe rrezitja mbushin trupin me oksigjen. Aktiviteti fizik, ndikon në ekuilibrin e peshës trupore, normalizimin e proceseve metabolike në organizëm, zvogëlon rrezikun për shfaqjen e problemeve metabolike, kardiovaskulare dhe proceseve malinje.

Nxisni fëmijët të jenë më larg teknologjisë dhe më afër sportit dhe aktivitetit fizik, aq më mirë nëse këto aktivitete zhvillohen në grup dhe në ambiente të jashtme. Do të ishte mirë, që fëmijët të kalojnë një kohë jashtë, ashtu që rrezet e diellit të përshpejtojnë absorbimin e vitaminës D, e cila është shumë e rëndësishme për kockat dhe sistemin imun.

4. Aktiviteti fizik i perditshëm edhe në dimër ne ambientin e jashtem .

Fëmijët në stinën e dimrit nuk duhet të qëndrojnë brenda në shtëpi te mbyllur . Sistemi i tyre imunitar përforcohet ndjeshëm nëse e lejoni të luajë jashtë shtëpisë edhe nëse moti është i ftohtë .Ka shume rendesi qe femija juaj te luaj edhe gjate dimrit ne ambientin e jashtem , mjafton që ai të jetë veshur në mënyrën e duhur.

Një fëmijë e dëmton më tepër qëndrimi për një kohë të gjatë vetëm brenda ambienteve të ngrohta.

5. Marrja e vitaminave dhe mineraleve të nevojshme

Vitamina C – kryeson listën, kur bëhet fjalë për forcimin e imunitetit. Ajo rritë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut, nivelin e interferoneve, proteinat natyrore të prodhuara nga qelizat imune në përgjigje të virusëve, parazitëve dhe qelizave tumorale.

Dozën e nevojshme ditore të vitaminës C është më mirë ta merrni nga ushqimet natyrale, se sa si suplement.
Frutat janë një burim i mirë i saj si: limoni, portokalli, papaja, kivi, luleshtrydhet, apo perimet, sidomos specat, brokoli dhe lakra. Kjo vitaminë, për shumë arsye gjendet në majën e listës të nutrientëve imunogjenë.

Vitamina D – sistemi imunitar nuk mund të aktivizohet pa praninë e saj. Funksionet bazë të vitaminës D rregullojnë sistemin imunitar, rregullojnë rritjen e qelizave dhe ekuilibrin hormonal. Mënyra më e mirë për marrjen e vitaminës D është nga ekspozimi në diell.

Përmes ushqimit këtë vitaminë mund ta merrni tek llojet e peshkut si salmon dhe ton, qumështi, vezët, kërpudhat, drithërat, lëngu i portokallit, gjizë pa kripë.
Vitamina E – është një antioksidant i rëndësishëm, që kontribuon në forcimin e imunitetit tek fëmijët. Sasi të mjaftueshme të vitaminës E mund të merren nga një dietë të pasur me fara, vajra bimore dhe drithëra.

Vitaminat B- këto vitamina përbëjnë grupin e 8 vitaminave të lidhura mes vete, të cilat në natyrë ndodhen në burime të bimëve dhe të kafshëve. Burime të pasura me vitamina B janë: perimet me gjethe të gjelbërta, drithërat integrale, patatet, bishtajat, arrat, mëlçia dhe mishi i thatë.

Magneziumi është mineral jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm për shumicën e reaksioneve në organizëm, mes tjerash është transport i glukozës dhe forcues i sistemit imunitar. Mund të merret përmes ushqimit, si tek bajamet ,farat e susamit dhe lulediellit, bananet, djathi, farat e kungullit dhe të lirit, miell tërshëre, brokoli, bizele misër i ëmbël.

Zinku – rritë prodhimin e qelizave të bardha të gjaku, të cilat luftojnë kundër infeksioneve. Burime të zinkut janë: drithërat e pasura, fasulja, mishi i lopës, mishi i qurës.

6. Vaksinoni femijet me kalendarin e rregullt te vaksinimit
Vaksinat trajnojnë trupin që të njohin viruset dhe bakteret dhe të luftojnë kundër tyre. Vaksinimi është një nga mundësitë më të mira që kanë prindërit për të mbrojtur foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nga sëmundjet potencialisht të dëmshme.

Vaksinat përdorin aftësinë natyrale të organizmit për t’ju përgjigjur sëmundjes duke stimuluar sistemin imunitar. Kështu që nëse dikush ekspozohet në të ardhmen, nga ai patogjen specifik,sistemi i tij imunitar do “ta kujtojë” dhe do të japë një përgjigje efektive për të ndaluarsëmundjen ose për të reduktuar ashpërsinë e saj.