Shqipëri

Si po “tretet” popullsia e Shqipërisë, shkak emigracioni dhe lindjet e pakta

Shqipëria po boshatiset. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë për një popullsi që po tkurret e po plaket.

Lindjet e pakta dhe emigracioni i lartë, kryesisht i të rinjve, është shndërruar në një kambanë alarmi për atë që po përballet vendi sot e mbi të gjitha që rrezikon nesër, në aspektin social dhe ekonomik.

Pas revistës prestigjoze “The Economist”, që analizoi në një artikull të saj se popullsia e Shqipërisë rrezikon të tkurret me 26% deri në vitin 2050, është Instituti Europian i Statistikave që rendit disa nga qytetet shqiptare ndër të parat në Europë për rënien e popullsisë. Në një botim të posaçëm për statistikat e rajoneve, Eurostat evidenton Gjirokastrën, Beratin, Dibrën dhe Kukësin si qytetet ku rënia e popullsisë ishte nga më të lartat në Europë në vitin 2017, me mbi 20 banorë për 1000 banorë. Arsyet e rënies së popullsisë vlerësohen të jenë tranzicioni demografik, me lëvizje të brendshme të popullsisë dhe emigracioni i lartë.

Instituti i Statistikave raportoi se më 1 janar 2020 popullsia jonë ishte 2,85 milionë banorë, duke pësuar rënie prej 0,6% krahasuar me një vit më parë. Shtesa natyrore e popullsisë, që del si raport i lindjeve me vdekjet, ishte vetëm 7 mijë banorë për vitin e kaluar nga 64 mijë persona në vit në 1990. E thënë ndryshe, është tkurrur me 12 herë në harkun kohor të 3 dekadave. E përgjatë kësaj periudhe, faktorët që kanë ndikuar kanë qenë të ndryshëm, por në finale ata kanë kushtëzuar shifra gjithmonë e më të vogla. 3 dhjetëvjeçarët që pasuan periudhën pas komunizmit u karakterizuan nga rënie e vazhdueshme e popullsisë. Kështu, nga 3,1 milionë banorë që ishim në vitin 1990, popullsia zbriti në 3 milionë në vitin 2000, për t’u reduktuar më pas në 2,9 milionë banorë në vitin 2010 e tashmë në 2,8 milionë banorë në 2020.

Ines Nurja, ish-drejtoreshë e përgjithshme e INSTAT, tha: “Ka filluar emigrimi në masë pas viteve ’90. Deri në vitin 2000 ka pasur ikje të madhe të shqiptarëve. Nga 2000 në 2010 ka qenë fenomeni i bashkimit të familjeve”.

Tkurrja e popullsisë ka pasoja të forta në ekonominë e një vendi. Goditja e parë ndihet në tregun e punës, me uljen e fuqisë punëtore. Bizneset po hasin sot në vështirësi për gjetjen e punëtorëve. Një shqetësim i tillë është në industrinë fason, që operon në zonat periferike të vendit, aty ku emigracioni është edhe më i theksuar. Ekspertët japin alarmin edhe për largimin e mjekëve, inxhinierëve, ekspertëve të teknologjisë së informacionit etj., pjesa e kualifikuar dhe më vitale e vendit. Kjo më pas ndikon tek ulja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Ekspertët rekomandojnë masa urgjente për të frenuar largimin e të rinjve, duke filluar nga politikat arsimore të orientuara drejt kërkesave të tregut të punës e deri tek mbështetja nga ana e qeverisë më nisma lehtësuese për biznesin, me qëllim rritjen e standardeve dhe pagave të punonjësve.

Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar, emigracioni ka një kosto të drejtpërdrejtë që shkon në 120 milionë dollarë. Ndërsa emigracioni dhe reduktimi i lindjeve çon në rritjen e moshës mesatare të popullsisë vendase, që aktualisht është 37,2 vjeç nga 27 vjeç që ka qenë në 1990, kjo ndikon në rritjen e numrit të pensionistëve. Ajo që ndodh si rrjedhojë është një përkeqësim i raportit të kontribuesve dhe përfituesve në skemën e pensioneve. Kjo do të thotë se do të duhen më shumë para nga buxheti për të mbuluar deficin e skemës, ose e thënë ndryshe për të paguar pensionistët, duke rritur kështu presionin fiskal mbi sekorin publik dhe duke e bërë të pa mundur pagesën e pensioneve në të ardhmen.

Por, emigracioni nuk është shqetësimi i vetëm. Lëvizjet demografike të 3 dekadave të fundit kanë përqendruar pjesën më të madhe të popullsisë dhe bizneseve në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Fier. Kjo ka bërë që këtu të përqëndrohen edhe pjesa dërrmuese e financimeve, investimeve dhe fronteve të punës, duke e bërë të pamundur zhvillimin e pjesës tjetër të vendit. Ky trekëndësh është sot kontribuesi kryesor me rreth 70% në rritjen ekonomike të vendit dhe rrjedhimisht, edhe përfituesi po në këtë masë i saj.

Por, çfarë duhet bërë përballë një situatë të tillë dhe mbi të gjitha me qytetet që po boshatisen? Ekspertët sërish sugjerojnë disa masa, me fokus nxitjen e lindjeve, krijimin e vendeve të punës për të rinjtë dhe politika për rikthimin e të larguarve jashtë vendit.

Jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani po përballet sot me rrezikun e uljes së popullsisë. Sipas “The Economist”, ne jemi vendi me tkurrjen më të madhe, duke lënë pas vetëm Bosnjen. Por pavarësisht shifrave alarmante dhe asaj që biznesi dhe ekspertët thonë të shqetësuar, nxitësit direkt për të frenuar emigracionin apo nxitur lindjet mungojnë. Ajo që sot shifrat paralajmërojnë, rrezikon që nesër të shndërrohet në hallin tonë më të madh./a2