Lajme

Shtyhet për 45 minuta konferenca e Speciales ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e paraparë të nis në orën 11:00 është shtyrë.

Në një njoftim të bërë nga Dhomat e Specializuara thuhet se konferenca do të nis me 45 minuta vonesë.

“Transmetimi i Konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, e cila do të mbahet sot në orën 11:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash”, thuhet në njoftim.

Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK)

“(1) Gjykatësi i procedurës paraprake mbledh një konferencë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore sa më shpejt që të jetë e mundshme pas paraqitjes së parë të të akuzuarit dhe më pas nëse del e nevojshme për: (a) organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykimin; (b) ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë; dhe (c) rishikimin e ecurisë së çështje gjyqësores dhe që palëve, e kur është e zbatueshme mbrojtësit të viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen gjyqësore.”, thuhet në pikën e parë të rregullës së lartpërmendur.

“(2) Me pëlqimin me shkrim të të akuzuarit që jepet pas këshillimit me mbrojtësin e vet të specializuar, konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore në bazë të kësaj rregulle mund të mbahet: (a) në praninë e të akuzuarit dhe me pjesëmarrjen e mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës; (b) në praninë e mbrojtësit të specializuar dhe me pjesëmarrjen e të akuzuarit nëpërmjet videokonferencës; dhe (c) në mungesë të të akuzuarit me praninë e mbrojtësit të specializuar, ose pjesëmarrjes së mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës.” , thuhet tutje në pikën e dytë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së.