Lajme

Urimi special i Ramës për Thaçin: Vëlla, agimi do të vijë përsëri, për ty e për Kosovën

Kryeministri Edi Rama, i ka kushtuar një urim special ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sot, 24 prill, feston ditëlindjen e 53-të.

“Vëlla” është mënyra se si Rama i drejtohet në këtë letër-urimi Thaçit.

“Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem”, shkruan Rama në letrën e bërë publike në llogarinë e tij në Facebook.

Mbajtjen e Thaçit në Hagë, për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, Rama e ka quajtur “një absurd”, derisa ka shprehur bindjen e plotë se “agimi do të vije përsëri, për ty dhe për Kosovën”.

Më poshtë gjeni, pa ndërhyrje, urimin me dhimbje të shkruar nga Rama për Thaçin.

Urimi i Ramës

I dashur Hashim, nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithsesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd në telefon, por duke u ndjerë më shumë se çdo herë më parë pranë teje. Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem. 20 vite janë shumë fare për njeriun, po për historinë janë sa një ditë dhe përgjatë kësaj dite ti ke provuar lindjen në errësirë, fëmijërinë në agimin e mjegullt, rininë në paraditen e nxehtë përzier me erën e gjakut të shokëve, drekën plot hare e brohoritje fitimtarësh, burrërinë në pasditen e ecjes së gjatë nëpër Kosovën e rilindur mes plagëve, halleve e shpresave dhe tash në ndalesën e muzgut, krejt të ngjashëm me muzgun e Kosovës që i ngjan një agimi të rrejshëm, teksa ty simbioza me historinë e tokës tënde, të ka caktuar ta dëshmosh me mungesën atë rrenë teksa të duhet të përballesh me malin e lartë me rrena që fati yt i shenjuar, ka vendosur përkohësisht mes teje dhe Kosovës tënde në këtë muzg të thellë. Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t’i kërkosh me zor nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme, por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend as durimin e pathyeshëm me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde. Nuk e di sa do të zgjasë nata që ke përpara miku im i shtrenjtë, por ajo çka di njësoj si drita e diellit mbi Tiranë sot, është se agimi do të vijë përsëri, për ty e për Kosovën. E di vëlla e di, që vitet deri në agim janë minuta për historinë, po jo për jetën e njeriut të kyçur me pahirin e cinizmit njerëzor brenda katër mureve dhe mundohem ta marr me mend se sa e rëndë është për ty pamundësia për të ecur edhe me këmbë, e jo veç me mendje nëpër rrugët e pyjet e Kosovës. Por s’ke kurrgjë çka bën, ti u rrite e u bëre burrë e babë po askurrë s’e patë dot në dorë të jesh tjetësend përveçse kukulla e fatit tënd të bërë njësh me Kosovën. Kështu që ma fal nëse ky urim i imi megjithë shpirt që edhe 100 vjet t’i kesh me shëndet e me kë të do zemra, nuk është dot një urim i buzëqeshur, por pash Zotin e madh mos iu anko fatit tënd e as mos kërko kot ta dish se si mund të ishte ndryshe, sepse sado cinike të të duket, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe që Kosova të buzëqeshë përsëri! Përqafime Hashim dhe jam atje, me ty sonte, kur të kujtosh dollitë e shkuara në familje për këtë ditëlindje nën tavanin e mallkuar!